Petrushevski për emrin e shtetit: Kur të kemi kushtet, do ta rikthejmë

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Brane Petrushevski, deklaroi se emri i mëparshëm kushtetues i shtetit do të rikthehet “sapo të krijohen kushtet” e nevojshme.

I pyetur në emisionin “Direktno” nga Andrej Zhernovski i LSDM-së se kur partia do ta realizojë këtë premtim, Petrushevski tha se për një ndryshim të tillë nevojitet shumicë prej dy të tretash dhe shumica e Badenterit në Kuvend.

Ai hodhi poshtë pretendimet se qytetarët ishin mashtruar gjatë fushatës zgjedhore, duke thënë se VMRO-DPMNE mori mbështetje për programin dhe projektet e saj.

Petrushevski foli edhe për Marrëveshjen e Prespës, duke shprehur qëndrimin se anëtarësimi në NATO, sipas tij, mund të ishte realizuar edhe pa këtë marrëveshje nëse vendi do t’i përmbushte standardet e Aleancës.