Dauti: U kap me 200 mijë euro të padeklaruara në Tabanoc, ndalohet pjesa më e madhe e parave

Në Pikën Kufitare Tabanoc, gjatë kontrollit të një automjeti, zyrtarët doganorë kanë zbuluar 200 mijë euro të padeklaruara, të cilat po tentoheshin të futeshin në vend nga një shtetas hungarez.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësdrejtori i Doganave të Maqedonisë së Veriut, Mustafë Dauti.

Sipas tij, paratë janë gjetur të fshehura në disa çanta dhe një valixhe, të vendosura në pjesë të ndryshme të automjetit.

Pas zbatimit të masave të parashikuara me Ligjin për Punën Devizore, shtetasit i janë kthyer 10 mijë euro, ndërsa 190 mijë euro janë mbajtur nga autoritetet.

Për rastin është paraqitur kërkesë për inicimin e procedurës kundërvajtëse.

Drejtoria e Doganave njofton se kontrollet dhe zbatimi i legjislacionit do të vijojnë në pikat kufitare.