Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka hapur Shkollën Verore të Qendrës së Përbashkët Kërkimore (JRC) të Komisionit Evropian, e cila deri më 18 shtator do të mbahet në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip.
Shkolla ka mbledhur studentë, doktorantë dhe studiues të rinj nga Maqedonia e Veriut dhe vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët do të trajnohen nga ekspertë evropianë për tema që lidhen me cilësinë e ajrit, ujit dhe tokës, si dhe me tranzicionin e gjelbër dhe digjital.
Janevska tha se kjo nismë është një mundësi për forcimin e kapaciteteve shkencore dhe një dëshmi e gatishmërisë së vendit për të kontribuar në objektivat evropiane.
“Shkenca dhe kërkimi janë në qendër të politikave tona”, theksoi Janevska, duke shtuar se Ministria po investon në laboratorë modernë, inovacion dhe projekte kërkimore.
Sipas saj, gjatë viteve 2025-2026 janë ndarë mbi 6 milionë euro nga buxheti për financimin e projekteve shkencore të universiteteve, instituteve dhe institucioneve të tjera kërkimore.
Bashkëorganizator i Shkollës Verore është Universiteti “Goce Dellçev” në Shtip, partner rajonal dhe evropian i Qendrës së Përbashkët Kërkimore të Komisionit Evropian.



