Shqiptarët nën piramidën e borgjezisë maqedone!

Shkruan: Medai SHAHOLLI

Pas rënies së sistemit të vetëqeverisjes socialiste tri dekada më parë, si në gjithë Lindjen edhe në “državën e re Severna” u vendos sistemi i ri i demokraqisë liberale, apo thënë ndryshe sistemi i borgjezise së vjetër me aktorë të rinj.

Shqiptarët nën piramidën e borgjezisë maqedone janë në rangun e fundit të kësaj piramide që përbëjnë shumicën e shtresës se ulët në këte “državë”, ku sipas një studimi jo shumë të bedueshëm thuhet se shtresa e ulët përbëhet me rreth 60% ( ku veç shqiptarëve bëjnë pjesë edhe maqedonët, turqit romët…) ndërsa shtresa e mesme me rreth 37% të popullsisë që përbëjnë shtresën e mesme përfaqësohet nga tregëtarët të vegjël, bujqit, fermerët, punonjësit e shëndetesisë dhe të arsimit, kurse rreth 2-3% e përbëjnë oligarkinë dhe klasën sunduese në vend..

Shtresa e ulët dhe më e paprivilegjuar me shumicë shqiptare ( dhe një sllavo-maqedone së bashku me pakicat e tjera ) mban mbi kurrizin e tyre shtresën e lartë të borgjezëve dhe oligarkëve të rinj, të cilët me paratë dhe kapitalet e tyre, mbajnë elitën e borgjezisë maqedone siç janë elita e klaneve politike të SDSM-së dhe të VMRO-së, tek tuk edhe ndonjë shqiptar i babëzitur, të cilët nga ana e tyre po qeverisin me sukses “Severnën” në këto tri dekada në sistemin e ekonomisë liberale apo të ekonomisë së tregut siç duan ta quajnë borgjezia e re.

Kapitalizmi i ri maqedon i udhëhequr nga elitat e SDSM-së dhe VMRO-së, joshi shtresën e ulët edhe të mesmen filimisht me emrin tërheqës “demokraci”, duke premtuar garantimin e lirisë, fjalës lirë dhe të shtypit, mbrojtjes së pronës private dhe të tjera leverdi të sistemit të ri, ku u përdorën si karrem për “cironkat e lumenjve të turbullt” të shumicës që vërshuan pas demokracisë.

Kësisoj, borgjezia e re maqedone përvetësoi pronën publike duke i shitur ndërmarrje dhe fabrika si tepërica teknologjike dhe jofitimprurëse në ekonominë e tregut.
Për pasojë u krijua një armatë e tërë e të papunëve.

Sistemi i borgjezisë nuk është një shans për çdonjërin në garën e ekonomisë së lirë të tregut, por favorizon dhe mbështet të fortit për ta shtypur të dobëtin. Ai nuk është sistem human i vlerave dhe i shtetit social, përkundrazi, ai nuk mbështet konkurencën e ndershme dhe meritokracinë, por mbështet të pandershmin dhe kusarin, matrapazin dhe oligarkun hajdut.
Demokracia nuk është rend ekonomiko-shoqëror, por formë e qeverisjes.
Ndaj, kapitalizëm nuk do të thotë domosdoshmërisht demokraci!
Dhe ja ku jemi tani, ku të varfërit po bëhen më të varfër dhe të pasurit po bëhen më të pasur!

Kapitalizmi i ri krijoi në bazë të rrethanave të reja ekonomiko-shoqërore shtresën e ulët dhe të paprivilegjuar të shoqërisë, të cilët në kushtet e reja të kapitalizmit të egër, humbën ato privilegje që patën gjatë sistemit të dikurshëm, si sigurimin social shëndetësor dhe arsimin cilësor për fëmijët e tyre, por që prej vitesh u flakën në rrugë, duke i lënë në mëshirën e fatit.

Armata e të papunëve nuk kishte rrugëdalje tjetër veç të çante ferrën jashtë vendit përballë egërsisë dhe pabarazisë sociale që ngriti sistemi i ri i ekonomisë së tregut, (kapitalizmi i ri) për të kërkuar një jetë më të mirë drejt perëndimit, ku atje gjetën punë dhe barazi sociale pasi vendi i tyre nuk i ofronte këtë të drejtë.

Menjëherë pas vendosjes së ekonomisë së tregut në mbarë vendin u shtuan “trokat dhe varfanjakët” që zvarriteshin për lëmoshë, me ç’rast borgjezia e re për mos t’ia humbur shpresat, shpërndante nëpër zyrat e Piramidës së Pushtetit sheqerka demokratik për të gjithë ata fatkëqinj që nuk arritën dot t’ia mbathnin drejt perëndimit për një jetë më të mirë.

Sistemi i ri i ashtuquajtur “demokraci” nuk ishte tjetër veçse kapitalizëm i vjetër që u dha shtresës së ulët vetëm të drejtën e lirisë së fjalës dhe të shtypit, pa një mundësi për të garuar me ta për një jetë me dinjitet, për t’u ngritur ekonomikisht si një shtresë e mesme dominuese në ekonominë e lirë dhe jo të barabartë të tregut.

Ky ishte zhgënjimi i madh i shekullit për shumicën e varfër kur menduan se me vendosjen e “demokracisë” morën fund vuajtja dhe varfëria, skamja dhe padrejtësitë!
Por, çfarë ndodhi më tej?
Të varfërit u varfëruan edhe më shumë ndërsa një pakicë e papërfillëshme u pasurua dhe u bë klasë sunduese e borgjezisë së re maqedone, njëlloj si në shtetet e tjera të lindjes.