Në kohën e shpërbërjes së Jugosllavisë, Maqedonia përballej me krizë të rëndë ekonomike dhe hiperinflacion. Në këto rrethana, shteti nisi në fshehtësi përgatitjet për futjen e monedhës së vet – denarit.
Profesori Ljube Trpeski, ish-guvernator i Bankës Popullore, ka treguar se një grup i posaçëm, i formuar nga presidenti Kiro Gligorov, punonte nën masa të rrepta sekreti për krijimin e valutës së re.
Për shkak se letra speciale për bankënota prodhohej vetëm në një fabrikë në Slloveni, ajo u transportua fshehurazi me anije drejt Shqipërisë dhe më pas me kamionë drejt Maqedonisë, për të shmangur zonat e luftës dhe kontrollet e Beogradit.
Bankënotat e para provuese u shtypën në shtypshkronjën “11 Oktomvri” në Prilep dhe nuk mbanin emër valute, por vetëm vlera numerike.
Në vitin 1993 u zhvillua konkurs ndërkombëtar për dizajnin e denarit. Në fund, në bankënota u vendosën simbole kulturore, historike dhe natyrore, në vend të figurave historike.





