Ganimet Shala, shqiptare e lindur në Pejë dhe e rritur e shkolluar në Lubjanë, është aktualisht pjesë e delegacionit të Komisionit Evropian që që pritet monitorojë zgjedhjet në Suedi, transmeton albinfo.ch.
Shala, e cila është anëtare e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës, ka bërë të ditur se këto ditë po angazhohet në monitorimin e procesit zgjedhor në Suedi.
“Unë si anëtare e Kongresit të Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë KE-së, këto ditë jam pjesë e delegacionit për monitorimin e zgjedhjeve në Suedi”, është shprehur Shala për platformen albinfo.ch.
Ky është misioni i tretë monitorues për të brenda dy viteve.
Vlen të theksohet se më herët, ajo ka qenë pjesë e delegacioneve për monitorimin e zgjedhjeve në Bosnje e Hercegovinë dhe Estoni.
Me një karrierë mbi 30-vjeçare në sektorin publik në Slloveni, Shala është magjistre në Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Diplomaci. Ajo është gjithashtu asambleistja e parë shqiptare në Parlamentin e Lubjanës dhe themeluese e Shoqatës së Grave Shqiptare “Teuta”.
Përmes angazhimit të saj institucional dhe komunitar, Shala ka qenë aktive në përfaqësimin e komunitetit shqiptar në Slloveni, si dhe në krijimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë.
Pjesëmarrja e saj në misionet ndërkombëtare të monitorimit të zgjedhjeve përbën një tjetër etapë në angazhimin e gjatë të saj në institucionet publike dhe në jetën politike evropiane./Albinfo.ch





