51 organizata shqiptaro-amerikane letër Ramës dhe 246 institucioneve ndërkombëtare: Jepe dorëheqjen

51 organizata shqiptaro-amerikane i kanë drejtuar një letër kryeministrit Edi Rama, përmes së cilës kërkojnë ndalimin e përdorimit të forcës nga policia ndaj protestuesve, lirimin e personave të arrestuar gjatë tubimeve dhe pezullimin e legjislacionit të ri për protestat. Të njëjtën letër ato ia kanë përcjellë edhe 246 organizatave dhe institucioneve ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Evropian, duke kërkuar vëmendjen dhe ndërhyrjen e tyre për situatën në Shqipëri.

Në letrën drejtuar kreut të qeverisë, organizatat shprehin mbështetjen për protestat paqësore dhe kërkesat e qytetarëve për t’i dhënë fund korrupsionit, për më shumë transparencë, përgjegjshmëri politike dhe reforma.

Organizatat e lidhin përshkallëzimin e situatës me zhvillimet e nisura më 13 tetor 2026, duke përmendur përplasjet, plagosjen e protestuesve dhe efektivëve të policisë, si dhe dëmtimin e pronës. Ato kundërshtojnë gjithashtu vendosjen e gjobave të rënda dhe miratimin e ligjeve të reja kufizuese, të cilat, sipas tyre, kanë cenuar të drejtat civile, kanë shtuar frikën dhe kanë thelluar mosbesimin e qytetarëve ndaj institucioneve.

Në dokument, organizatat i rikujtojnë kryeministrit detyrimin e qeverisë për të garantuar rendin publik brenda kufijve të ligjit, duke iu referuar Kushtetutës së Shqipërisë dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Ato theksojnë se liria e tubimit, e shprehjes dhe e shtypit, prezumimi i pafajësisë dhe e drejta për proces të rregullt ligjor janë të drejta që duhet të garantohen nga shteti.

Mes kërkesave kryesore është ndalimi i menjëhershëm i përdorimit pa dallim dhe joproporcional të plumbave prej gome, topave të ujit dhe gazit lotsjellës kundër protestuesve dhe gazetarëve. Po ashtu, kërkohet reduktimi i pranisë së forcave të policisë në protestat paqësore dhe ndalimi i përdorimit të masave administrative, gjobave të rënda dhe ndalimeve të udhëtimit për të ushtruar presion ndaj protestuesve.

Një tjetër kërkesë lidhet me identifikimin e punonjësve të policisë. Organizatat kërkojnë që efektivët të mbajnë gjatë gjithë kohës shenja të qarta dalluese dhe dokument identifikimi. Ato kërkojnë gjithashtu lirimin e personave të ndaluar vetëm për pjesëmarrjen në protesta paqësore, informimin e menjëhershëm të tyre për arsyet e arrestimit dhe garantimin e aksesit te një avokat, përfshirë mbrojtjen falas për personat që nuk kanë mundësi financiare.

Në mënyrë të veçantë, letra ndalet te mbrojtja e të miturve. Organizatat kërkojnë hetim të pavarur për çdo pretendim mbi ushtrimin e dhunës policore ndaj fëmijëve dhe që asnjë i mitur të mos merret në pyetje pa praninë e prindit ose kujdestarit ligjor, avokatit dhe psikologut.

Një nga pikat më të rëndësishme të letrës është kërkesa për pezullimin e legjislacionit të ri për protestat, i cili, sipas organizatave, është miratuar me dekret emergjence më 28 tetor 2026, pa debat parlamentar. Ato pretendojnë se ky legjislacion vendos kufizime të gjera mbi tubimin, shprehjen dhe udhëtimin, të shoqëruara me gjoba të rënda. Për këtë arsye, kërkojnë që ai të mos zbatohet deri në shqyrtimin nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni i Venecias, si dhe diskutimin në Parlament. Organizatat kundërshtojnë edhe krijimin e një regjistri me qytetarët e cilësuar si “individë të dhunshëm”, duke kërkuar që askujt të mos i mohohet aksesi në transport, aeroporte apo hotele pa një vendim fajësie nga gjykata.

Në pikën e fundit të letrës, 51 organizatat shqiptaro-amerikane i kërkojnë drejtpërdrejt kryeministrit Edi Rama të marrë përgjegjësi politike dhe të japë dorëheqjen. Sipas tyre, kjo do të shërbente për rikthimin e besimit publik dhe krijimin e kushteve për një tranzicion paqësor, reforma institucionale dhe zgjedhore, si dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Letra e plotë:

Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama,

Ne, organizatat shqiptaro-amerikane të nënshkruara më poshtë, qëndrojmë të bashkuara në mbështetje të protestave paqësore, të të drejtave kushtetuese të protestuesve dhe thirrjeve të tyre për t’i dhënë fund korrupsionit, për më shumë transparencë, përgjegjshmëri politike dhe reforma.

Për më shumë se katër muaj, shqiptarët kanë protestuar pa incidente madhore, duke shprehur kërkesat e tyre në mënyrë paqësore dhe demokratike. Nëse do të ishit përgjigjur në kohë, përmes angazhimit dhe dialogut kuptimplotë, komuniteti ndërkombëtar do të kishte dëshmuar një demokraci të re në momentin e saj më të mirë, me qytetarë që ushtrojnë të drejtat e tyre dhe një qeveri që u përgjigjet shqetësimeve të tyre.

Në vend të kësaj, ai po dëshmon një krizë.

Që prej 13 tetorit 2026, tensionet janë përshkallëzuar në përplasje, plagosje të protestuesve dhe policëve, si dhe dëmtime të pronës. Në mënyrë shqetësuese, në vend që të tregoni vetëpërmbajtje, të ulni tensionet dhe të trajtoni shqetësimet e protestuesve, ju jeni përgjigjur me forcë joproporcionale, arrestime masive, kërcënime dhe intimidim.

Qeveria juaj më pas vendosi gjoba të rënda dhe ligje të reja kufizuese. Këto veprime kanë cenuar të drejtat civile, kanë ngjallur frikë, kanë thelluar mosbesimin e publikut dhe kanë nxitur trazira të mëtejshme.

Çdo qeveri ka detyrimin të garantojë sigurinë e qytetarëve të saj dhe të ruajë rendin publik. Por këtë duhet ta bëjë brenda kufijve të ligjit.

Kushtetuta e Shqipërisë e përcakton ligjin si bazën dhe kufirin e të gjithë veprimtarisë shtetërore. Ajo ndalon torturën dhe trajtimin ose ndëshkimin mizor, çnjerëzor apo poshtërues. Ajo garanton barazinë përpara ligjit, lirinë e tubimit, shprehjes dhe lëvizjes, lirinë e shtypit, të drejtat e personave të ndaluar dhe të të akuzuarve, mbrojtjen ligjore falas për ata që nuk kanë mundësi financiare, procesin e rregullt ligjor, prezumimin e pafajësisë, mbrojtjen e të dhënave personale, të drejtën e grevës, lirinë akademike, mbrojtjen e posaçme për fëmijët dhe kompensimin për viktimat e veprimeve të paligjshme shtetërore.

Ajo gjithashtu kërkon që çdo kufizim i këtyre të drejtave të përcaktohet me ligj, të jetë proporcional dhe të mos i tejkalojë kufijtë e përcaktuar nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në interes të paqes, drejtësisë dhe të ardhmes së Shqipërisë, ju bëjmë thirrje që të:

1. T’i jepni fund përdorimit të tepruar të forcës dhe intimidimit.

Ndaloni menjëherë përdorimin pa dallim dhe joproporcional të plumbave prej gome, topave të ujit dhe gazit lotsjellës kundër protestuesve dhe gazetarëve. Zvogëloni praninë e rëndë të forcave të policisë në protestat paqësore, për të cilën OKB-ja paralajmëron se mund të përshkallëzojë tensionet.

Ndaloni përdorimin e masave administrative për të ushtruar presion dhe për të frikësuar protestuesit paqësorë, përfshirë gjobat e rënda dhe ndalimet e udhëtimit pa vendime gjykate.

(Nenet 17, 22, 25, 38, 42, 47)

2. Të bëhet identifikimi i policisë.

Punonjësit e policisë duhet të mbajnë gjatë gjithë kohës shenja të qarta dalluese dhe dokument identifikimi, të njëjtin standard që tashmë u kërkohet qytetarëve.

(Nenet 4, 15)

3. T’u jepet fund arrestimeve arbitrare.

Lironi çdo person të ndaluar vetëm për shkak të pjesëmarrjes në protesta paqësore. Sigurohuni që çdo person i ndaluar të informohet menjëherë, në një gjuhë që e kupton, për arsyet e arrestimit të tij dhe të ketë akses të menjëhershëm te një avokat.

Siguroni një avokat falas për këdo që nuk ka mundësi ta përballojë financiarisht.

(Nenet 27, 28, 31, 42)

4. Mbroni të miturit.

Sigurohuni që pretendimet për brutalitet policor ndaj të miturve të hetohen në mënyrë të pavarur dhe që asnjë fëmijë të mos merret në pyetje nga autoritetet pa praninë e një prindi ose kujdestari ligjor, një avokati dhe një psikologu, siç e kërkon legjislacioni shqiptar dhe standardet ndërkombëtare për mbrojtjen e fëmijëve.

(Neni 54)
5. Pezulloni legjislacionin e ri për protestat.

I miratuar me dekret emergjence më 28 tetor 2026, pa debat parlamentar, ai vendos kufizime të gjera mbi tubimin, shprehjen dhe udhëtimin, të shoqëruara me gjoba të rënda.

Ky legjislacion nuk duhet të zbatohet deri në shqyrtimin e tij nga Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut dhe Komisioni i Venecias, si dhe deri në diskutimin e tij në Parlament.

(Nenet 17, 22, 38, 47, 101)

6. T’i jepet fund ndëshkimit pa gjyq.
Mos i vendosni qytetarët në një regjistër të “individëve të dhunshëm” dhe mos u mohoni atyre aksesin në transport, aeroporte dhe hotele pa një vendim fajësie nga gjykata.

Qytetarët meritojnë të njëjtin prezumim të pafajësisë që qeveria juaj ka kërkuar për zyrtarët e saj.

(Nenet 18, 30, 35, 38, 42)

7. Bëjeni publik dokumentacionin.

Brenda 30 ditëve, publikoni një raport të plotë mbi reagimin e policisë që prej 13 tetorit 2026, në përputhje me Udhëzimet e OKB-së për të Drejtat e Njeriut mbi Armët me Fuqi më të Ulët Vdekjeprurëse në Zbatimin e Ligjit (2020) dhe Udhëzimet e OSBE-së/Komisionit të Venecias për Lirinë e Tubimit Paqësor.

Raporti duhet të përfshijë:

Urdhrat që kanë autorizuar përdorimin e forcës.
Një raport të detajuar për çdo incident dhe çdo rast të përdorimit të forcës.
Armët dhe municionet e përdorura.
Numrin e ndalimeve, kontrolleve të identitetit dhe kontrolleve fizike.
Të gjitha arrestimet, ndalimet dhe plagosjet.
Çdo masë disiplinore të marrë.
Ruani të gjitha dokumentet dhe provat përkatëse, përfshirë pamjet filmike dhe të gjitha komunikimet zyrtare, në çdo pajisje, qoftë përmes radios, telefonit, mesazheve, email-it apo aplikacioneve të komunikimit, në mënyrë që ato të mund të shqyrtohen në mënyrë të pavarur.

(Nenet 23, 35)

8. Lejoni mbikëqyrjen ndërkombëtare.

Jepuni hetuesve ndërkombëtarë akses të plotë. Krijoni për qytetarët një mënyrë të sigurt dhe të pavarur për të raportuar abuzimet.

Sigurohuni që çdo ankesë të dokumentohet dhe të hetohet në mënyrë të paanshme. Mbani përgjegjës personat që kanë kryer shkelje, përfshirë zyrtarët dhe drejtuesit që i kanë urdhëruar, nxitur ose toleruar ato.

(Nenet 15, 122)

9. Kompensoni dhe kujdesuni për viktimat.

Siguroni dëmshpërblim për të gjithë ata që i janë nënshtruar përdorimit të paligjshëm të forcës policore, ndalimit të paligjshëm apo shkeljeve të tjera të të drejtave të tyre civile.

Ofrojuni atyre ndihmë ligjore, mjekësore dhe psikologjike falas, përmes ofruesve të pavarur të këtyre shërbimeve.

(Nenet 44, 55)

10. Merrni përgjegjësi politike.

Vendosni interesat e Shqipërisë përpara interesave tuaja dhe riktheni besimin e publikut duke dhënë dorëheqjen.

Lehtësoni një tranzicion paqësor që krijon kushtet për reforma institucionale dhe zgjedhore, të cilat forcojnë të drejtat themelore dhe garantojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Si aleat i NATO-s, vend kandidat për në BE dhe anëtar i OKB-së, qeveria juaj është zotuar ndaj demokracisë, lirive individuale dhe shtetit të së drejtës. Ne presim që ju ta përmbushni këtë angazhim, të respektoni Kushtetutën e Shqipërisë dhe të bashkëpunoni plotësisht me Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), edhe kur hetimet e saj përfshijnë anëtarë të qeverisë suaj.

Ne gjithashtu u bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara, Bashkimit Evropian dhe institucioneve ndërkombëtare që të mbështesin dhe të zhvillojnë hetime të pavarura mbi shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe korrupsionin, si dhe të mbrojnë SPAK-un nga ndërhyrjet politike.

I nxisim ato të ofrojnë burimet e nevojshme dhe të përdorin çdo instrument diplomatik në dispozicion, përfshirë procesin e anëtarësimit në BE.

Ftojmë vëzhguesit ndërkombëtarë të të drejtave të njeriut, avokatët dhe gazetarët që të vëzhgojnë dhe dokumentojnë zhvillimet në Shqipëri, dhe i bëjmë thirrje qeverisë suaj të garantojë sigurinë e tyre dhe aksesin e papenguar.

Ne vlerësojmë guximin e studentëve, pedagogëve, gazetarëve dhe qytetarëve që kanë dalë në rrugë për më shumë se pesë muaj. Shqiptaro-amerikanët qëndrojnë në krah të tyre dhe do të vazhdojnë të ngrenë zërin pranë qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare derisa të drejtat e tyre të respektohen.

I nxisim ata të mbeten paqësorë, të vendosur dhe vigjilentë gjatë këtij momenti kritik për demokracinë e Shqipërisë.

Kjo krizë kërkon një zgjidhje politike dhe çdo zgjidhje politike kërkon sakrifica. Kjo sakrificë mund të vijë vetëm nga ata që drejtojnë.