VLEN pa qëndrim për intonimin e himnit në shkollat e Gazi Babës, në zgjedhje paralajmëroi barazi për simbolet

Partia në pushtet VLEN, nuk ka asnjë qëndrim për nismën e Komunës së Gazi Babës për intonimin e himnit shtetëror nëpër shkollat e Komunës së Gazi Babës edhe krerët e kësaj partie, iniciativave të këtilla u janë kundërpërgjigjur me mundësinë e intonimit të himnit kombëtar shqiptar, pasi në pikëpamjen e tyre himni aktual i shtetit nuk përfaqëson realitetin multietnik të shtetit. Bilall Kasami në vitin 2023, derisa ishte kryetar i Lëvizjes Besa, e cila më pas u shkri në VLEN, pati kërkuar ndryshim të himnit.

“Përderisa është ky realitet, atëherë kjo nënkupton që ose të ndërrohet himni i shtetit dhe të respektojë diversitetin kulturor dhe etnik ose nëse bihet vendim kështu që është të intonohet, atëherë duhet të respektohet përkatësia multietnike e shtetit dhe e shoqërisë dhe në komunat apo lokalitetet me shumicë shqiptare si komuniteti i dytë shumicë, duhet të intonohet edhe himni shqiptar”, deklaroi Bilall Kasami më 25.10.2023.

Pavarësisht se Komuna e Tetovës nuk ka miratuar ndonjë vendim apo urdhër për intonimin himnit, kryetari Kasami mori pjesë në aktivitetin e fillimit të vitit shkollor në shkollën e Shipkovicës, ku ceremonia nisi me himnin kombëtar shqiptar.

Ndonëse sot nuk jep qëndrim, Mexhiti pasi është përfshirë në Qeveri ka deklaruar publikisht se ka nevojë të ndryshohet himni, por edhe stema, pasi janë të periudhës së komunizmit.

Pikërisht këtë qëndrim partia VLEN e ka premtuar përpara qytetarëve gjatë zgjedhjeve të fundit. Në kapitullin e parë ku flitet për barazinë kombëtare dhe Marrëveshjen e Ohrit, VLEN ka premtoi se përdorimi i himnit, stemës, flamurit kombëtar shqiptar në shkollat e në institucionet do të gëzojnë të drejtën e barabartë ligjore me atë të maqedonasve.

Në fakt, ky premtim nuk është realizuar as për së afërmi. Të gjitha këto segmente, vazhdojnë të jenë në nivel ashtu siç kanë qenë përpara se VLEN të vijë në pushtet. /Alsat.mk