Kina renditet e dyta në nivel global me 21 marka, në 100 markat më të vlefshme të tregtisë së shërbimeve në botë, me një vlerë të kombinuar prej 876.8 miliardë dollarë amerikanë, tregoi një raport britanik konsulence të mërkurën.
Renditja, e titulluar Tregtia e Shërbimeve 100 për vitin2026, u publikua nga Brand Finance, një konsulencë kryesore për vlerësimin e markave, ndërsa Panairi Ndërkombëtar i Kinës për Tregtinë e Shërbimeve 2026 filloi në Pekin.
100 markat më të vlefshme të tregtisë së shërbimeve në botë, kanë një vlerë prej 4.6 trilionë dollarë amerikanë në vitin 2026, tha raporti, duke shtuar se markat kineze përbënin 19.08%, duke lënë pas vetëm Shtetet e Bashkuara.
Tregtia e shërbimeve e Kinës ruajti një rritje të qëndrueshme në shtatë muajt e parë të vitit 2026, pasi eksporti i shërbimeve të udhëtimit dhe transportit, nxiti më shumë se gjysmën e zgjerimit të përgjithshëm të eksportit, treguan të dhënat e ministrisë së tregtisë.
Tregtia e shërbimeve të vendit arriti në gati 4.45 trilion juanë (rreth 655.8 miliardë dollarë amerikanë) gjatë kësaj periudhe, duke u rritur me 8.3% nga viti në vit, treguan të dhënat.
Platformat dixhitale, rrjetet financiare, shërbimet profesionale dhe markat e udhëtimit, po transformojnë aftësitë e paprekshme në vlerë ndërkufitare, vuri në dukje raporti. “Tregtia e shërbimeve është një nga mekanizmat kryesorë, përmes të cilit asetet e paprekshme shndërrohen në vlerë ekonomike përtej kufijve”, tha ai.
Alex Haigh, drejtor menaxhues i Brand Finance Asia Pacific, tha se duke shfrytëzuar sinergjitë e platformave dixhitale, rrjeteve të komunikimit dhe institucioneve të mëdha financiare, tregtia kineze e markave të shërbimeve po rritet me shpejtësi, duke reflektuar një trend të ri të zgjerimit të “Made in China” në “shërbimet e Kinës” dhe “markat e Kinës”.
Kina ka intensifikuar përpjekjet politike për të nxitur zhvillimin e sektorit të shërbimeve. Skica e Planit të 15-të Pesëvjeçar (2026-2030) dhe raporti i punës së qeverisë së këtij viti, bënë të dyja rregullime specifike për këtë sektor.



