Hapet afati i dytë në UT: Nga 9 shtatori, kandidatët mund të aplikojnë për studimet 2026/27

Universiteti i Tetovës hap një mundësi të re për maturantët dhe kandidatët që synojnë të bëhen pjesë e arsimit të lartë. Nga 9 deri më 11 shtator 2026 do të jetë i hapur afati i dytë për regjistrimin e studentëve në ciklin e parë të studimeve për vitin akademik 2026/27.

Kandidatët që nuk kanë arritur të regjistrohen në afatin e parë, apo ata që dëshirojnë të aplikojnë në një program tjetër studimi, tashmë kanë një mundësi të re për të zgjedhur drejtimin e tyre akademik.

Oferta e Universitetit të Tetovës përfshin një gamë të gjerë programesh studimore, nga gjuhët dhe letërsia, drejtësia, gazetaria dhe shkencat politike, deri te ekonomia, informatika, matematika, shkencat natyrore dhe shkencat e aplikuara.

Mundësi të shumta janë në dispozicion edhe në fushën e shkencave mjekësore, ku kandidatët mund të zgjedhin programe si farmaci, fizioterapi, infermieri, mami, kozmetikë me estetikë dhe mjekësi dentare.

Në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore ofrohen programe në biologji, kimi, fizikë, informatikë dhe matematikë, ndërsa Fakulteti i Shkencave të Zbatuara përfshin drejtime si arkitektura, dizajni dhe enterieri, inxhinieria e komunikacionit, mekatronika dhe ndërtimtaria.

Oferta akademike shtrihet edhe në arte, kulturë fizike, pedagogji, psikologji, administrim biznesi, bujqësi dhe bioteknologji, si dhe teknologji ushqimore.

Në Fakultetin e Arteve, kandidatët mund të aplikojnë për art dramatik, art figurativ dhe art muzikor. Ndërkohë, Fakulteti i Kulturës Fizike ofron studime në kulturën fizike dhe shëndetësinë, si dhe programe për trajnerë në sporte të ndryshme.

Afatet që duhet t’i kenë parasysh kandidatët

Aplikimi online për afatin e dytë do të zhvillohet nga 9 deri më 11 shtator 2026.

Për programet studimore ku kërkohet verifikimi i njohurive dhe aftësive, provimet pranuese do të zhvillohen më 12 shtator.

• 9–11 shtator: aplikimi online;
• 12 shtator: provimet pranuese, për programet përkatëse;
• 14 shtator: publikimi i rezultateve preliminare;
• 15 shtator: publikimi i rezultateve përfundimtare të pranimit.

Aplikimi bëhet përmes platformës online apply.unite.edu.mk, ndërsa dokumentacioni i kërkuar duhet të dorëzohet në administratën e Universitetit brenda afateve të përcaktuara.

Kandidatët që kanë krijuar profil gjatë afatit të parë nuk kanë nevojë të krijojnë profil të ri, pasi mund ta përdorin të njëjtin profil edhe për aplikimin në afatin e dytë.

Nga Universiteti i Tetovës u bëhet thirrje të gjithë kandidatëve të interesuar që ta shfrytëzojnë këtë mundësi dhe të zgjedhin programin që përputhet me interesat, ambiciet dhe synimet e tyre profesionale.