Një 29-vjeçar nga Shkupi është ndaluar nga policia, pasi dyshohet se ka kërcënuar dhe i ka marrë paratë një turisti nga Kina. Rasti ka ndodhur në zonën e Komunës së Aerodromit, gjatë orëve të para të mëngjesit.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se më 8 shtator 2026, rreth orës 01:50, nëpunësit policorë të Njësitit të Policisë Intervenuese pranë SPB Shkup e kanë privuar nga liria A.K. (29) nga Shkupi.
Sipas denoncimit, i dyshuari paraprakisht kishte transportuar me automjetin e tij privat, të cilin e përdorte si taksi, shtetasin kinez J.T. (26) drejt destinacionit të kërkuar.
Pas përfundimit të udhëtimit, A.K. dyshohet se i kishte kërkuar turistit të paguante një shumë më të madhe se çmimi real i transportit.
“Pasi J.T. nuk ishte pajtuar me kërkesën, A.K., duke e kërcënuar me një send të mprehtë, ia kishte marrë paratë”, bëjnë të ditur nga MPB-ja.
Pas dokumentimit të plotë të rastit, Njësia Policore e Aerodromit dhe Draçevës pranë SPB Shkup do të paraqesë kallëzim penal ndaj të dyshuarit për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “grabitje”, në pajtim me nenin 237 të Kodit Penal.
Rasti është duke u hetuar nga organet kompetente.





