Ethet e Nilit Perëndimor kanë marrë viktimën e tetë në vend. Një 70-vjeçar nga Draçeva e Shkupit ka ndërruar jetë në Klinikën për Sëmundje Infektive, konfirmoi për Televizionin 24 ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski.
Sipas informacioneve, pacienti ishte në gjendje kritike dhe kishte edhe disa sëmundje shoqëruese.
Me rastin e fundit, numri i viktimave nga ethet e Nilit Perëndimor këtë vit ka arritur në tetë. Të gjithë personat që kanë humbur jetën deri tani kanë qenë burra të moshës madhore me komorbiditete.
Shifrat e fundit zyrtare tregojnë se këtë vit janë regjistruar 55 raste të infektimit me virusin e Nilit Perëndimor në vend.
Situata mbetet nën monitorim nga autoritetet shëndetësore, ndërsa numri i viktimave ngre shqetësim për përhapjen e virusit gjatë kësaj periudhe.





