Grabitet infrastruktura hekurudhore në Shkup! Arrestohet 45-vjeçari, dyshohet për dy vjedhje

Pjesët metalike dyshohet se janë marrë nga linja hekurudhore në Aerodrom dhe Draçevë

Një 45-vjeçar nga Shkupi është arrestuar nga policia, nën dyshimin se ka kryer dy vjedhje të rënda të pjesëve metalike nga infrastruktura hekurudhore.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, zyrtarët policorë të SPB Shkup më 3 shtator 2026 e kanë privuar nga liria personin me inicialet Z.S. (45).

Dy rastet për të cilat dyshohet se është përgjegjës janë raportuar në dy lokacione të ndryshme – njëri në territorin e Aerodromit, ndërsa tjetri në Draçevë.

Pas denoncimit, policia ka ndërmarrë masat dhe aktivitetet përkatëse, ndërsa 45-vjeçari është ndaluar në territorin e SP Aerodrom.

Gjatë veprimeve policore janë gjetur edhe sendet e dyshuara si të vjedhura, të cilat më pas i janë kthyer pronarit, “Hekurudhat e RMV-së”.

Rasti është ende duke u dokumentuar nga policia. Pas përfundimit të hetimit dhe sigurimit të të gjitha të dhënave, ndaj personit të arrestuar pritet të parashtrohet kallëzim përkatës penal.

Bëhet fjalë për dyshime të policisë, ndërsa përgjegjësia eventuale penale do të përcaktohet në procedurën përkatëse ligjore.