Mbi 4.5 milionë denarë dëm ndaj buxhetit! Policia Financiare padit pronarin e biznesit nga Struga

Dyshime për shmangie tatimore – nuk deklaroi miliona denarë dhe dyshohet se shmangu pagesën e mbi 4.5 milionë denarëve tatime

Policia Financiare ka ngritur kallëzim penal ndaj një personi nga Struga dhe subjektit juridik që ai drejton, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Shmangie tatimore”.

Sipas kallëzimit të dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Strugë, personi me inicialet B.Z., në cilësinë e pronarit dhe administratorit të kompanisë, dyshohet se me veprime të qëllimshme ka shmangur deklarimin dhe pagesën e detyrimeve tatimore.

Hetimi i Policisë Financiare ka konstatuar se në bilancin bruto për vitin 2025 janë evidentuar detyrime të vjetruara dhe të papaguara në vlerë prej 30.946.170 denarësh.

Sipas autoriteteve, këto detyrime nuk janë trajtuar si të ardhura në bilancin tatimor, edhe pse, në rrethanat e përshkruara në kallëzim, ato konsideroheshin të vjetruara dhe ndaj tyre nuk ishte nisur procedurë gjyqësore për arkëtim.

Si pasojë, dyshohet se nuk është llogaritur dhe deklaruar tatimi mbi fitimin në normën 10%, në vlerë prej 3.094.617 denarësh.

Edhe 1.4 milionë denarë të tjera në pikëpyetje

Policia Financiare ka evidentuar edhe një tjetër element të dyshimtë.

Bëhet fjalë për hua të dhëna personave fizikë, në vlerë prej 14.254.665 denarësh, të cilat nuk ishin kthyer deri në fund të vitit.

Sipas kallëzimit, këto shuma nuk janë evidentuar në bilancin tatimor si shpenzime të panjohura për qëllime tatimore dhe për to nuk është llogaritur e paguar tatimi mbi fitimin prej 1.425.467 denarësh.

DËMI TOTAL: 4.520.084 DENARË

Me veprimet e përshkruara në kallëzimin penal, Policia Financiare vlerëson se detyrimet tatimore nuk janë llogaritur, deklaruar dhe paguar sipas ligjit.

Dëmi i shkaktuar Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut llogaritet në 4.520.084 denarë.

Rasti tashmë është dorëzuar në Prokurorinë Themelore Publike në Strugë, e cila pritet të ndërmarrë veprimet e mëtejshme ligjore.