Serbia po nderon xhelatin, Kosova po hesht për viktimat

Fejzi HAJDARI
Serbia po përgatitet ta varrosë Ratko Mladiqin me nderime ushtarake e shtetërore.

Një gjeneral i dënuar me burgim të përjetshëm nga drejtësia ndërkombëtare për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte po trajtohet nga një pjesë e shtetit serb jo si simbol i një epoke kriminale, por si figurë për t’u nderuar.

Dhe këtu qëndron skandali i vërtetë, sepse një shtet nuk gjykohet vetëm nga ligjet që miraton, por edhe nga figurat që zgjedh të nderojë.

Serbia po na e jep vetë argumentin më të fuqishëm kundër saj. Pa pasur nevojë ta kërkojmë, pa pasur nevojë ta ndërtojmë diplomatikisht.

Një shtet që pretendon të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, ndërsa nderon një person të dënuar për gjenocid, duhet të japë përgjigje shumë më serioze sesa një deklaratë diplomatike.

A mund të ndërtohet Evropa mbi glorifikimin e atyre që drejtësia ndërkombëtare i ka shpallur përgjegjës për krime monstruoze?

Madje, këtë herë edhe Brukseli e ka thënë qartë.
Komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, ka bërë të ditur se glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në Bashkimin Evropian dhe as në vendet që synojnë anëtarësimin.

Pra, fjala është thënë.
Argumenti është në tavolinë.
Pyetja është: ku është Kosova?
Ku është diplomacia e Kosovës në këtë moment?
Ku është zëri i saj në Bruksel, Uashington, Berlin, Paris e Londër?
Ku janë notat diplomatike, takimet, deklaratat, kërkesat për sqarime dhe presioni politik?
Pse Prishtina nuk po e shndërron këtë rast në një çështje ndërkombëtare?

Kjo është pikërisht ajo që quhet diplomaci në interes të shtetit: të marrësh një zhvillim që e ekspozon kundërshtarin dhe ta çosh atë deri në zyrat ku merren vendimet.

Kosova nuk duhet të mjaftohet me një postim në Facebook apo me ndonjë deklaratë të zakonshme për konsum të brendshëm.

Duhet ta pyesë Evropën, drejtpërdrejt:

Çfarë standardesh evropiane po i kërkohen Kosovës, ndërsa një shtet kandidat për anëtarësim nderon zyrtarisht një të dënuar për gjenocid?

Dhe duhet ta bëjë këtë jo për hakmarrje, por për drejtësi, kujtesë dhe standarde evropiane.

Sepse Mladiqi nuk është thjesht një emër në historinë e luftërave të Ballkanit. Ai është simbol i një politike dhe i një aparati ushtarak që la pas viktima, varreza dhe trauma të pashlyeshme.

Prandaj, kur shteti serb e nderon, nuk kemi të bëjmë thjesht me mënyrën se si një shoqëri e përcjell një të vdekur.

Kemi të bëjmë me pyetjen se çfarë historie po zgjedh Serbia të nderojë dhe çfarë Evrope pretendon të ndërtojë.

Dhe këtu Kosova nuk ka luksin të heshtë, sepse kur krimineli nderohet publikisht, heshtja e viktimës nuk është diplomaci. Është humbje e një beteje që nuk kërkon as ushtri, as armë — por vetëm zë, argument dhe guxim politik.

Serbia po e ngre Mladiqin në piedestal.
Kosova duhet ta ngrejë çështjen e tij në Bruksel.
Njëra palë po ndërton mitin.
Tjetra duhet të ndërtojë argumentin.

Dhe këtë herë, argumenti është në anën e Kosovës.