Një titull nderi që më lidh edhe më fort me arbreshët

Prof.dr.Vebi Bexheti
Në Horën Arbëreshe, e konsideruar qendra kryesore e arbëreshëve të Sicilisë dhe jo vetëm, më 29.08.2026, në kuadër të përvjetorit të themelimit të këtij vendbanimi me histori të lashtë, u mbajt një mbledhje solemne në Bashki. E vetmja pikë e rendit të ditës ishte shpallja ime, Prof. Dr. Vebi Bexheti, Qytetar Nderi i qytetit.
Propozimi i kryebashkiakut Rosaro Petta u mbështet në kontributin dhe angazhimin tim në fushën studimore, letrare e kulturore, si dhe në botimin e një sërë veprash kushtuar arbëreshëve në përgjithësi dhe atyre të Horës në veçanti. Propozimi u miratua nga Këshilli Bashkiak, i drejtuar nga Antonino Aclud, dhe u prit në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore, mes arbëreshëve, anëtarëve të familjes sime dhe miqve e shokëve të ardhur nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe diaspora shqiptare.
Në sallën e Këshillit Bashkiak, përveç kryebashkiakut Rosaro Petta dhe presidentit të Këshillit, Antonino Aclud, folën edhe Francesco Scarpinato, këshilltar rajonal për Pasurinë Kulturore dhe Identitetin Sicilian; Imzot Papas Jani Pecararo; si dhe përfaqësuesi i diasporës me seli në Gjermani, Ignazio Caffalia.
Kryebashkiaku, në fjalën e tij në gjuhën arbëreshe, u ndal gjerësisht te rëndësia e këtij vlerësimi, i cili e begatoi edhe më tej festën madhështore të qytetit.
Më pas, fjalën e mori poeti, dramaturgu, publicisti dhe studiuesi arbëresh Zef Skiro Di Maxho. Ai foli për rrugëtimin tim jetësor, studimet, veprimtarinë e gjatë në mësimdhënie, ngritjen akademike dhe punën kërkimore-shkencore në fushën e letërsisë, përfshirë edhe atë arbëreshe.
Dhjetëra punime shkencore mbi historinë, kulturën, etnografinë dhe letërsinë arbëreshe, botimet e veçanta të teksteve universitare, veprimtaritë kushtuar arbëreshëve, si dhe ekspeditat shkencore të zhvilluara me studentët në Kalabri, sipas Zef Skiro Di Maxhos, dëshmojnë punën e palodhshme dhe përgjegjësinë time akademike. Prandaj, ky titull nderi, i akorduar nga Bashkia e Horës, është një vlerësim që e çmoj thellësisht dhe që do të shërbejë për thellimin e bashkëpunimit dhe forcimin e lidhjes vëllazërore ndërmjet shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone dhe arbëreshëve, me të cilët, padrejtësisht, na ndajnë shekujt.
Pas ceremonisë zyrtare, vazhdoi festa e qytetit, e cila nisi me tubimin e grupeve me kostume festive arbëreshe dhe me bandën muzikore karakteristike të këtij komuniteti.
Me këtë rast, falënderoj të gjithë nismëtarët e këtij projekti kulturor e shkencor, i cili për mua ka peshë historike dhe përbën një përgjegjësi për punë të mëtejshme në këtë fushë, edhe në nivel institucional, ndërmjet Bashkisë së Horës Arbëreshe dhe qytetit tonë, Tetovës.
Falënderoj nga zemra mikun tonë, poetin Zef Skiro Di Maxho, si dhe Salvadore-n, i cili na shoqëroi gjatë gjithë qëndrimit në këtë qytet. Falënderoj shoqen time, Fatimen, djemtë, nuset, nipat, mbesën, kushërinjtë dhe miqtë e tjerë nga Tetova, të cilët e madhëruan këtë rast me praninë e tyre.
Falënderoj gjithashtu të gjithë kolegët, studentët dhe miqtë e mi nga Maqedonia, Kosova, Shqipëria dhe diaspora, të cilët më uruan për këtë çmim me shumë domethënie për mua dhe familjen time.