Melazim Koci
Projektligji i paraqitur në Kongresin Amerikan nga republikani Joe Wilson dhe demokrati Bill Keating është një sinjal i fortë politik për Serbinë dhe për të gjithë Ballkanin.
Serbisë i kërkohet të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme, të luftojë korrupsionin, të forcojë sundimin e ligjit dhe, mbi të gjitha, të distancohet nga lidhjet strategjike me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
Dhe mesazhi është edhe më i qartë: nëse Beogradi nuk i përmbush këto kërkesa, parashikohet ndërprerja e Dialogut Strategjik SHBA – Serbi, i cili sapo ka nisur.
Ky nuk është vetëm shqetësim diplomatik. Është porosi nga Washingtoni se demokracia, stabiliteti dhe orientimi euroatlantik i Ballkanit nuk mund të minohen pa pasoja.
Dhe në instancë të fundit është sinjal për Beogradin se nuk do te tolerohet politika ambivalente:
integrim evropian dhe vazhdim i thellimit të lidhjeve me Moskën, Pekinin dhe Teheranin.
Mesazhi i Washingtonit është transparent: Ballkani duhet të jetë hapësirë e demokracisë, paqes dhe sigurisë euroatlantike – jo terren për ndikimin e Rusisë, Kinës apo Iranit qoftë përmes Serbisë ose kujdo tjetër.
Ky është qortim serioz i kongresmenëve Joe Wilson dhe Bill Keating, drejtuar Serbisë – por që duhet ta dëgjojë dhe ta kuptojë mirë i gjithë Ballkani.



