Komisioni ka qëndrim parimor se nuk do t’i komentojë deklaratat dhe qëndrimet e kandidatëve që janë paraqitur dhe kanë marrë pjesë në konkurs dhe në procedurën e përzgjedhjes, thuhet në reagimin e Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), pas kritikave të bëra nga një kandidat që ka marrë pjesë në konkurs.
Nga Komisioni, megjithatë, theksojnë faktet e mëposhtme: Së pari, nuk është aspak praktikë e pazakontë që Paneli i Ekspertëve, në procedurën e përzgjedhjes së gjyqtarëve, të ketë vërejtje ndaj propozimeve për gjyqtarë dhe, në këtë drejtim, Paneli i Ekspertëve në praktikën e tij ka raste të kthimit të listave të plota ose të kandidatëve të caktuar nga ato lista. Së dyti, Paneli i Ekspertëve në raportin e tij pas dorëzimit të listës nuk kishte asnjë vërejtje për punën dhe procedurat e Komisionit për përzgjedhjen e kandidatëve për gjyqtar të RM-së në GJEDNJ.
– Në fund, pavarësisht qëndrimit parimor, Komisioni megjithatë konsideron se është e papranueshme që një kandidat i pakënaqur me punën e Komisionit, ta cilësojë punën e tij në mënyrë të padenjë. Në këtë kuptim, nëse edhe Komisioni do t’i përgjigjej në të njëjtën mënyrë, përgjigjja do të ishte se ai kandidat do të bënte më mirë të përballej me turpin për punën e tij, i cili është evidentuar në një raport të Entit Shtetëror të Revizionit, në vend që të bëjë cilësime të papërshtatshme për punën e Komisionit – thuhet në reagimin e Komisionit për përzgjedhjen e kandidatit për gjyqtar në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Procedura për zgjedhjen e gjyqtarit maqedonas në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), një vit e gjysmë pas fillimit, sërish është kthyer një hap prapa. Paneli Këshillëdhënës i ekspertëve pranë Këshillit të Evropës ka vlerësuar se kandidatja e propozuar Ana Dangova Hug nuk i plotëson në tërësi kriteret për gjyqtare në Strasburg, pas së cilës Komisioni maqedonas ka propozuar një emër të ri.
Në vend të Ana Dangova Hug është propozuar avokatja Jelena Ristiç, ka konfirmuar për Telma kryetari i Gjykatës Kushtetuese, i cili është edhe kryetar i Komisionit.
Vendimi që Ristiç të propozohet është marrë njëzëri në mbledhjen e Komisionit të mbajtur më 20 gusht, pasi Ministria e Punëve të Jashtme e ka njoftuar Komisionin për vërejtjet e Panelit të Ekspertëve të Këshillit të Evropës.
Komisioni i parë propozoi gjyqtaren Gabriela Gajdova, prokuroren Lençe Ristoskën dhe avokatin Jordan Apostollski. Para se lista të dërgohej në Këshillin e Evropës, u formua një komision i ri, i kryesuar nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese, në të cilin bëjnë pjesë edhe kryetarët e Gjykatës Supreme, Gjykatës Penale dhe Gjykatës Civile, si dhe drejtoresha e Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë.
Në nëntor të vitit të kaluar, komisioni i ri propozoi Jordan Apostollskin, avokaten Natasha Boshkovën dhe dekanin e Fakultetit Juridik “Justiniani i Parë”, Sasho Georgievskin. Në maj të këtij viti erdhi një ndryshim i ri. Apostollski u zëvendësua me Ana Dangova Hug, e cila u bë kandidatja e tretë e propozuar.
Ndërkohë, gjyqtari maqedonas në GJEDNJ, Jovan Ilievski, mandati i të cilit duhej të përfundonte në fillim të këtij viti, mbetet në detyrë deri në zgjedhjen e pasardhësit të tij.





