Karateisti i njohur shqiptar, Berat Jakupi, ka ngritur shqetësimin për mënyrën se si shpërblehen sportistët për medaljet e fituara në Lojërat Mesdhetare „Taranto 2026“.
Jakupi përmes një reagimi ka krahasuar shpërblimet që ofrohen në Shqipëri dhe Kosovë me situatën në Maqedoninë e Veriut.
Sipas tij, Shqipëria ka përcaktuar shpërblim prej 30 mijë eurosh, ndërsa Kosova 16 mijë euro për sportistët që fitojnë medalje në Lojërat Mesdhetare. Në anën tjetër, Jakupi pretendon se në Maqedoninë e Veriut nuk ka shpërblim të posaçëm shtetëror për medaljet e fituara në këto gara.
„Pas çdo medaljeje qëndrojnë vite pune, mijëra orë stërvitje, sakrifica, dëmtime, shpenzime dhe përkushtim“, shkruan Jakupi.
Ai thekson se sportistët nuk garojnë vetëm për veten, por edhe për shtetin që përfaqësojnë dhe kërkon përgjigje nga Ministria e Sportit nëse ata meritojnë të shpërblehen për rezultatet e tyre.
„Nuk është fjala vetëm për para. Është fjala për respekt, vlerësim dhe motivim për gjeneratat e ardhshme“, shprehet karateisti.
Jakupi apelon që sportistët të mbështeten jo vetëm me urime pas suksesit, por edhe përmes një sistemi konkret që do ta vlerësonte punën dhe sakrificën e tyre.
„Sportistët tanë meritojnë më shumë se një fotografi dhe një urim. Meritojnë mbështetje konkrete“, përfundon ai. (INA)



