Të njohurit i kanë kërkuar foto intime, çdo të dhjetit fëmijë

Të dhëna shqetësuese zbulojnë një përmasë të madhe të shfrytëzimit seksual të fëmijëve në Maqedoni
12 mijë fëmijë në nivel nacional, janë prekur gjatë një viti. Në 78% të rasteve, kryerësi ka qenë person i njohur për fëmijën, ndërsa vetëm në 5% të rasteve kryerësi ka qenë person i panjohur për fëmijën, tregon raporti i rezultateve të hulumtimit „Disrupting Harm“.
Një në 10 fëmijë të moshës 12 deri në 17 vjeç në vend, gjatë një periudhe njëvjeçare, kanë qenë të ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të lehtësuar përmes teknologjisë, që përfaqëson rreth 12.000 fëmijë në nivel kombëtar.
Prej tyre, 48% kanë qenë të ekspozuar ndaj më shumë se një forme abuzimi ose shfrytëzimi. Në mënyrë të barabartë janë prekur edhe djemtë edhe vajzat. Në 78% të rasteve, kryerësi ka qenë person i njohur për fëmijën, ndërsa vetëm në 5% të rasteve ka qenë person i panjohur për fëmijën, tregon raporti i hulumtimit „Disrupting Harm“.
Në 57% të rasteve, kryerësit kanë qenë persona të rritur, ndërsa në 22% të rasteve kanë qenë të përfshirë bashkëmoshatarë. Në 39% të rasteve ka qenë i përfshirë partneri aktual ose i mëparshëm intim, ose një person ndaj të cilit fëmija kishte simpati, ndërsa në 27% të rasteve ka qenë i përfshirë një anëtar i familjes.
Në 52% të rasteve janë përdorur platformat e rrjeteve sociale, ndërsa 30% e rasteve kanë ndodhur përmes platformave të lojërave online.
Platformat më shpesh të raportuara kanë qenë:
o Instagram – 76%
o Snapchat – 55%
o TikTok – 51%
o WhatsApp – 40%
o Facebook – 34%
o YouTube – 29%
o X – 21%
Forma më e shpeshtë ka qenë ekspozimi i fëmijëve ndaj përmbajtjeve seksuale pa pëlqimin e tyre, ndërsa një formë tjetër ka përfshirë kërkesat që fëmijët të shpërndajnë fotografi ose video në të cilat shfaqen pjesët e tyre intime.
Fëmijët e ekspozuar ndaj shfrytëzimit dhe abuzimit seksual të lehtësuar përmes teknologjisë kanë pasur 11 herë më shumë gjasa të vetëlëndohen dhe 12 herë më shumë gjasa të kenë mendime dhe sjellje vetëvrasëse. Ata gjithashtu kanë përjetuar nivele dukshëm më të larta të ankthit.
Fëmijët e prekur shpesh kanë përjetuar turp, humbje të kontrollit, vështirësi me gjumin, stres, ankth etj.
Edhe pse 88% e fëmijëve ia kanë treguar abuzimin dikujt, raportimi tek shërbimet zyrtare ka qenë jashtëzakonisht i rrallë: vetëm 1% kanë raportuar në polici, 1% në qendrat për punë sociale, ndërsa vetëm 0,2% kanë kontaktuar një linjë ndihme, tregojnë rezultatet e hulumtimit.
Astrit Iseni: Mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët
Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, gjatë prezantimit të raportit tha se ai është një hap i rëndësishëm në përpjekjen e përbashkët për të kuptuar dhe trajtuar rreziqet që mjedisi digjital sjell për më të pambrojturit – fëmijët.
– Gjatë procesit të realizimit të hulumtimit, UNICEF-i zbatoi një proces gjithëpërfshirës dhe inkluziv, i cili bashkoi institucionet, opinionin profesional dhe qytetarët. Kjo qasje e integruar, si një përpjekje kombëtare që bashkon çdo perspektivë relevante dhe synon ndërtimin e një sistemi të fuqishëm parandalimi dhe mbrojtjeje, përcjell mesazhin se mbrojtja e fëmijëve është përgjegjësi e përbashkët dhe se vetëm përmes gjithëpërfshirjes, partneritetit dhe përkushtimit kombëtar mund të krijojmë një të ardhme digjitale të sigurt për çdo fëmijë – tha Iseni.
Ai shtoi se kjo temë ka rëndësi të thellë për shoqërinë, pasi familjet, shkollat dhe komunitetet përballen me sfida të reja që burojnë nga digjitalizimi i shpejtë. Mënyrat e komunikimit dhe të të mësuarit sjellin përfitime të mëdha, por edhe mundësi të reja për abuzim dhe shfrytëzim.
– Është e domosdoshme t’i dëgjojmë edhe zërat e ekspertëve, t’i zbatojmë rekomandimet dhe t’i përshtatim përgjigjet institucionale me nevojat reale të fëmijëve dhe familjeve të tyre – tha Iseni.
Sipas tij, raporti ndihmon për të kuptuar gjendjen reale në shoqëri, mënyrën se si të rinjtë sillen online, cilat janë rreziqet më të shpeshta dhe ku institucionet duhet të ndërhyjnë në mënyrë më efikase.
– Ai ofron udhëzime për forcimin e kuadrit ligjor, mbështetjen e profesionistëve që punojnë me fëmijët dhe përmirësimin e mekanizmave praktikë për parandalim dhe mbrojtje. Raporti është një instrument praktik dhe jo vetëm një ushtrim analitik.
Ministria e Punëve të Brendshme ka rol kyç përmes aktiviteteve parandaluese, rritjes së ndërgjegjësimit publik dhe forcimit të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë. Ne po punojmë për krijimin e një mjedisi më të sigurt për fëmijët. Përpjekjet tona janë të orientuara drejt rezultateve konkrete, parandalimit të abuzimit, zbulimit në kohë të rreziqeve dhe sigurimit të mbështetjes institucionale për më të pambrojturit – theksoi Iseni.
UNICEF: Kjo është një krizë e fshehur
Përfaqësuesja e UNICEF-it, Leslie Miller, tha se raporti, i mbështetur nga Safe Online dhe i zbatuar së bashku nga ECPAT International, INTERPOL dhe UNICEF-i, bashkon zërat dhe përvojat jetësore të fëmijëve me të dhëna nga familjet dhe profesionistët që punojnë në fushën e mbrojtjes së fëmijëve, arsimit, zbatimit të ligjit dhe drejtësisë.
Ajo theksoi se gjetjet janë shumë shqetësuese dhe kërkojnë veprim urgjent, të vendosur dhe të koordinuar nga shoqëria civile, institucionet, sektori privat dhe komunitetet.
– Për fat të keq, gjetjet janë thellësisht shqetësuese, duke zbuluar një krizë në mbrojtjen e fëmijëve në epokën digjitale. Ato gjithashtu konfirmojnë se ky nuk është vetëm një problem online: ai është i rrënjosur në mjediset e përditshme të fëmijëve dhe shpesh kalon nga hapësirat digjitale në ato fizike.
Nuk ka dyshim se fëmijëve nuk mund dhe nuk duhet t’u kërkohet që të mbrohen vetë nga abuzimi. Përgjegjësia është e jona, të rriturve, për të parandaluar dëmin, për të reaguar në mënyrë efikase dhe për të krijuar mjedise të sigurta për fëmijët – si offline, ashtu edhe online.
Kjo është një krizë e fshehur. Hendeku ndërmjet përhapjes së problemit dhe raportimit të rasteve tregon se shumica e rasteve mbeten të padukshme për sistemet zyrtare – tha Miller.
Sipas saj, dëmi është serioz. Fëmijët e prekur nga kjo formë abuzimi kanë shumë më tepër gjasa të përjetojnë ankth, vetëlëndim dhe mendime apo sjellje vetëvrasëse. (plusinfo)