ASH: 25 vjet (EBR), shqiptarët të padukshëm, shqipja e fshirë!

Aleanca për Shqiptarët ka reaguar lidhur me një ceremoni me rastin e 25 vjetorit të Njësisë për Intervenim të Shpejtë të MPB-së së Maqedonisë së Veriut e njohur si EBR.

Ja reagimi i plotë:

Njësia për intervenim të shpejtë (EBR) shënoi 25-vjetorin me ceremoni shtetërore, dekorata dhe mirënjohje. Por nga ajo që pamë, dukej sikur bëhej fjalë për një institucion të një shteti një etnik.

Asnjë shqiptar në ceremoninë zyrtare. Asnjë fjalë shqip në prapaskenën institucionale. As zëvendësministri shqiptar i Punëve të Brendshme nuk ishte aty.

U nda çmimi për pjesëtarin më të mirë. U ndanë pllaketa për drejtues institucionalë. Plot 33 pjesëtarë morrën mirënjohje për 25 vjet shërbim. Shqiptarët përsëri të padukshëm sikur nuk ekzistojnë në këtë shtet.

Është e papranueshme dhe e pajustifikueshme që edhe kjo të kalojë si një lëshim protokollar.

Ku është VLEN-i? Ku është zëvendësministri Astrit Iseni? Për çfarë shërben përfaqësimi shqiptar në Ministrinë e Punëve të Brendshme, nëse në një jubile të tillë shqiptarët dhe gjuha shqipe fshihen nga pamja institucionale?

Kërkojmë përgjigje publike nga MPB-ja:

Sa shqiptarë janë sot pjesëtarë të njësisë për intervenim të shpejtë (EBR)? Sa prej 33 të dekoruarve janë shqiptarë? Pse gjuha shqipe mungonte në këtë ceremoni shtetërore? Dhe pse zëvendësministri shqiptar nuk ishte i pranishëm?

VLEN-i mund të vazhdojë të numërojë funksionet e veta. Qytetarët po numërojnë çdo ditë se sa shqiptarë po zhduken nga institucionet.
Kur hesht edhe përballë kësaj, nuk je përfaqësues. Je vetëm dekor i pushtetit të VMRO-DPMNE-së.