Kryeministri kanadez Mark Carney ka kritikuar ashpër tarifat e reja amerikane ndaj Kanadasë, duke thënë se ato ishin “hartuar për të na dëmtuar dhe për të na përçarë”, pasi bisedimet mes Otavës dhe Uashingtonit dështuan të premten, shkruan Euronews.
Duke dhënë më shumë detaje mbi arsyet pse Kanadaja u tërhoq nga ajo që ai e quajti një “marrëveshje e keqe”, Carney tha: “Ne nuk mund të pranojmë atë që kanë ofruar dhe nuk do të japim atë që kanë kërkuar.”
Tarifat e reja prej 50%, që prekin mallra kanadeze me vlerë rreth 20 miliardë dollarë, hynë në fuqi të shtunën pasi dy vendet nuk arritën të binin dakord për një marrëveshje tregtare, ndërsa të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për përpjekje për të bërë ndryshime në momentet e fundit.
Në një deklaratë të së premtes, Carney i cilësoi si “të padrejta” dhe “të pafavorshme ekonomikisht” ndryshimet e supozuara të minutës së fundit në kushtet e marrëveshjes së propozuar nga SHBA-ja, duke shtuar se ato “vunë në dyshim besueshmërinë e çdo marrëveshjeje”.
Ai gjithashtu paralajmëroi se Otava do t’u përgjigjej tarifave amerikane “dollar për dollar, për të mbrojtur punëtorët dhe bizneset tona”. “Reagimi ynë do të përqendrohet në sektorë të tillë si çeliku, produktet e qumështit, pajisjet shtëpiake, makineritë bujqësore, celuloza dhe letra, si dhe elektronika,” tha Carney në një fjalim të shtunën.
Zyra e Përfaqësuesit Tregtar të Shteteve të Bashkuara e ka cilësuar këtë si një “mundësi të humbur” për Kanadanë, e cila, sipas saj, po vazhdonte me “masa hakmarrëse të zgjatura” ndaj SHBA-së.
“Pavarësisht ofertës së SHBA-së drejtuar Kanadasë për t’i ofruar trajtimin më të favorshëm ndër të gjithë eksportuesit kryesorë në tregun tonë, kërkesat e reja dhe tërheqja nga angazhime të tjera prej anës së Kanadasë kanë prishur ekuilibrin delikat të arritur ditët e fundit,” thuhet në deklaratën e publikuar në rrjetet sociale.
Dështimi i bisedimeve erdhi pavarësisht optimizmit të shprehur nga presidenti amerikan Donald Trump se mund të arrihej një marrëveshje. Trump e kishte shtyrë datën fillestare të planifikuar për hyrjen në fuqi të tarifave e cila ishte caktuar për të mërkurën pasi dukej se marrëveshja ishte pranë finalizimit.
Trump, i cili ka sugjeruar vazhdimisht se Kanadaja duhet të bëhet “shteti i 51-të” i SHBA-së, deklaroi të dielën herët se Otava dëshironte “përfitimet e të qenit shtet, pa qenë e tillë.”
“Ata gjithashtu u kanë vendosur prej vitesh tarifa të larta fermerëve tanë të shkëlqyer. Mjaft më me kaq!” shtoi ai. Trump ka ndjekur një politikë agresive tarifore që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar të vitit 2025, duke rritur taksat ndaj partnerëve në mbarë botën.
Administrata argumenton se tarifat do të nxisin prodhimin amerikan dhe do të stimulojnë rritjen e vendeve të punës brenda vendit, duke adresuar njëkohësisht atë që ajo e konsideron si praktikë tregtare të padrejtë.
Megjithatë, kritikët thonë se rritja e tarifave po e bën jetën më të shtrenjtë për konsumatorët dhe bizneset amerikane, ndërsa krijon pasiguri të gjerë te kompanitë që planifikojnë investime dhe zinxhirë furnizimi.
/tvklan.al



