Ditët e fundit të gushtit kanë sjellë një fluks të lartë automjetesh nga Kosova drejt Shqipërisë, teksa qindra mjete po i drejtohen bregdetit shqiptar për ditët e fundit të pushimeve verore.
Ngarkesa e automjeteve është e dukshme në pikën kufitare të Morinit, por edhe përgjatë Rrugës së Kombit, në segmentin nga Morini deri në Pikën e Pagesës, ku qarkullimi është shtuar ndjeshëm.
Në pikën kufitare të Morinit po punohet me të gjitha sportelet në dispozicion për përballimin e fluksit të madh të udhëtarëve dhe automjeteve. Masa të ngjashme janë marrë edhe në Pikën e Pagesës së Rrugës së Kombit, me qëllim shmangien e radhëve dhe garantimin e një lëvizjeje sa më të shpejtë.
Fluksi i lartë pritet të vijojë edhe gjatë orëve në vazhdim, pasi shumë qytetarë nga Kosova kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të shfrytëzuar ditët e fundit të sezonit veror. Për shumë prej tyre, Rruga e Kombit mbetet aksi kryesor i udhëtimit drejt destinacioneve turistike në bregdetin shqiptar.



