Flakët kërcënojnë shtëpitë në Strumicë – Rrezikohen vreshtat në Zhelinë

Në territorin e vendit aktualisht ka të paktën 20 zjarre në hapësira të hapura, prej të cilëve të paktën 11 janë aktive, njoftoi sot drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim (DMSH), Stojançe Angelov. Situata më alarmante është në afërsi të Strumicës, në territorin e fshatrave Banicë dhe Vodoçë, ku zjarri po kërcënon shtëpitë e rreshtit të parë. Në terren po intervenojnë zjarrfikësit e Strumicës, ndërsa për përforcime janë kërkuar ekipe nga gjevgjelia, Vallandova dhe Radovishi.

“Më alarmant është zjarri në afërsi të Strumicës, në territorin e fshatrave Banicë dhe Vodoçë, i cili po kërcënon shtëpitë e rreshtit të parë. Në terren janë zjarrfikësit nga Strumica, ndërsa kam kërkuar edhe ndihmë urgjente nga ekipet kundër zjarrit nga Vallandova dhe Radovishi”, deklaroi Angelov.

Përveç zjarrit në rajonin e Strumicës, zjarre serioze janë aktive edhe në Studeniçan dhe në Zhelinë. Në territorin e Studeniçanit, flakët po lëvizin drejt fshatit malor Cvetovë, duke kërcënuar një objekt ku dyshohet se ndodhet një stan. Ndërkaq, zjarri në territorin e fshatit Cerovë të Tetovës, në Komunën e Zhelinës, i cili shpërtheu dje, po përhapet drejt zonës kodrinore. Po digjen pyll, shkurre dhe ferra, ndërsa ekziston rreziku që zjarri të përfshijë edhe vreshtat dhe pronat përreth. Për këtë arsye, ekipet e zjarrfikësve të Tetovës do të përforcohen me ekipe shtesë për mbrojtjen e zonës.

“Po digjet pyll me cilësi të dobët, shkurre dhe ferra, por ekziston rreziku që të përfshihen edhe vreshtat në këtë rajon. Fola me komandantin e NJTKZ-së Tetovë, i cili do të dërgojë ekipe shtesë për mbrojtjen e vreshtave dhe pronës përreth”, tha drejtori i DMSH-së.
Zjarri i Mariovës është pothuajse tërësisht i shuar, ndërsa aktiv mbetet vetëm krahu drejt Bonçes. Për intervenim dhe monitorim, DMSH-ja ka dërguar ekipe për reagim të shpejtë nga Manastiri, Koçani dhe Vinica.

“Lajm i mirë është se zjarri i Mariovës është pothuajse tërësisht i shuar dhe aktiv mbetet vetëm krahu drejt Bonçes. Këtë mëngjes atje dërguam ekipet e DMSH-së për reagim të shpejtë, të përbëra nga vullnetarë nga Manastiri, Koçani dhe Vinica”, deklaroi Angelov.
Ai bëri të ditur se zjarre të reja janë regjistruar edhe në territorin e fshatit Tajmishte në rajonin e Kërçovës, afër fshatit Lomnicë në Komunën e Vrapçishtit, si dhe në Komunën e Mavrovës dhe Rostushës, ku në terren po intervenojnë pjesëtarë të DMSH-së, zjarrfikës dhe banorë lokalë.Në rajonin e Prilepit, sipas Angelovit, aktive janë zjarret në territoret e fshatrave Maxhunishte, Konjare dhe Bonçe, ndërsa zjarri pranë Bonçes është pjesë e zjarrit më të madh të Mariovës.