Elezi: Policia e Kosovës e gatshme te perballet me çdo situate në Urën e lbrit

“Policia e Kosovës nuk e gëzon besimin e serbëve në veri dhe se prania e KFOR-it në urë është një “faktor i rëndësishëm stabiliteti”.”

Kështu është shprehur Lista Serbe, pasi Policia e Kosovës ka nisur marrjen e përgjegjësisë për sigurinë në Urën e Ibrit.

Por, kalimi gradual i kompetencave të sigurisë në urën e Ibrit, nga KFORI në Policinë e Kosovës, po shihet si një e arritur mjaft e madhe me plotë merita nga ish-drejtori i Policisë, Reshat Maliqi.

“Policia e Kosovës sot nuk do ta kupton si një privilegj, por si një përgjegjësi shtesë, për të ngritur vigjilencën dhe të ngritë bashkëpunimin me qytetarët që të marr në kohë, të reagon para se me ndodhë ndonjë rast i rëndë, apo ndonjë provokim siç e kemi pasur rastin e Banjskës apo edhe të tjera, që të reagojnë me kohë dhe të vepron para se me ndodhë”, ka thënë Maliqi për Radio Dukagjinin.

Ndërsa, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, thotë se Policia e Kosovës ka kapacitetet e nevojshme dhe është e përgatitur nëse ndodh të ketë tensione.

“Ka ndoshta shqetësime nëse do të ketë ndonjë përpjekje eventuale të grupeve të caktuara që mbështeten nga Beogradi zyrtar, por mos t’a lejuar Policinë e Kosovës me vazhdu tutje, megjithatë jam i bindur që faktori ndërkombëtar do të ushtroj ndikimin e tyre ndaj Beogradit zyrtar që mos të mbështesë aktivitete përmes grupeve të caktuara të serbëve lokal për t’i kundërshtuar Policinë e Kosovës në çështje operative që janë në urë aty”, ka theksuar Elezi.

Komandanti i KFOR-it, Özkan Ulutash, ka thënë se zvogëlimi i pranisë së trupave në Kosovë do të bëhet gradualisht dhe në bazë të situatës së sigurisë. Sipas tij, trupat e KFOR-it mund të rikthehen nëse zhvillimet ndikojnë në sigurinë e Kosovës dhe stabilitetin rajonal.