Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se Ngushtica e Hormuzit do të hapet “shumë shpejt”, ose përndryshe Irani do të “goditet rëndë”.
Deklarata e tij vjen teksa çmimet e naftës kanë rënë në nivelin më të ulët të tre javëve të fundit mes shpresave për një marrëveshje.
Presidenti amerikan ka folur për Fox News pasi sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe sekretari i Thesarit, Scott Bessent, konfirmuan se bisedimet kishin përparuar mjaftueshëm për të mundësuar rifillimin e mundshëm të dërgesave më vonë gjatë kësaj jave.
Të martën, çmimi i një fuçie nafte Brent, që është referenca globale për çmimet e naftës, ka rënë me pothuajse 5%, duke zbritur nën 80 dollarë, pas lajmeve se pengesat në furnizim mund të lehtësoheshin. Çmimi ka rënë edhe të mërkurën, duke shënuar një ulje prej rreth 0,7% në tregjet aziatike.
Megjithatë, dështimi i bisedimeve të mëparshme për të ulur tensionet në konflikt, ka sjellë paqëndrueshmëri në tregun e naftës, duke bërë që shoferët të përballen përfundimisht me çmime më të larta të karburantit.
“Po zhvillojmë diskutime shumë të mira”, ka thënë Trumpi gjatë një vizite në Kaliforni, duke këmbëngulur se Irani ishte i gatshëm të arrinte një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit disamujor.
Komanda Qendrore e SHBA-së (CentCom) ka deklaruar se “rruga jugore përmes Ngushticës së Hormuzit mbetet e lirë dhe e hapur për të gjitha anijet tregtare që dëshirojnë të kalojnë nëpër këtë rrugë ujore ndërkombëtare”.
Ndërsa zyrtarë të lartë të qeverisë amerikane kanë njoftuar se bisedimet po përparojnë, nuk janë bërë publike detaje mbi formën që mund të marrë një marrëveshje e mundshme.



