Gjesti fisnik i Joshua-s: Ngre flamurin kuq e zi dhe bën shqiponjën me Prengën

Anthony Joshua tërhoqi vëmendjen jo vetëm me fitoren ndaj Kristian Prengës, por sidomos me gjestin e veçantë që bëri menjëherë pas përfundimit të duelit.

Pasi siguroi triumfin me nokaut në raundin e dytë, ish-kampioni britanik kërkoi flamurin shqiptar dhe e ngriti lart përpara publikut, në shenjë respekti për Prengën dhe tifozët shqiptarë të pranishëm në arenë.

Joshua mbajti në njërën dorë flamurin kuqezi dhe në tjetrën atë të Anglisë, ndërsa më pas pozoi përkrah boksierit shqiptar duke bërë edhe simbolin e shqiponjës. Pamjet u pritën me duartrokitje dhe entuziazëm, duke u kthyer në një nga momentet më të bukura të mbrëmjes.

Pavarësisht rivalitetit dhe goditjeve të shkëmbyera në ring, britaniku tregoi respekt maksimal ndaj kundërshtarit të tij pas ndeshjes, duke dëshmuar se sporti nuk përfundon me gongun e fundit.

Në aspektin sportiv, Prenga zhvilloi një raund të parë të fortë dhe e vuri disa herë Joshua-n në vështirësi, por përvoja dhe fuqia e britanikut bënë diferencën në raundin e dytë. Megjithatë, përtej rezultatit, ishte gjesti i Joshua-s me flamurin shqiptar ai që fitoi zemrat e publikut.