Trump ndal bombardimet ndaj Iranit? Vance dhe gjenerali Caine paralajmëruan për rrezikun e përshkallëzimit

SHBA-të kaë vendosur të pezullojë përkohësisht fushatën e bombardimeve ndaj Iranit, ndërsa brenda administratës së presidentit Donald Trump janë ngritur shqetësime për pasojat e një përshkallëzimi të mëtejshëm të konfliktit.

Sipas burimeve të cituara nga CNN, nënpresidenti amerikan JD Vance dhe kreu i Shtabit të Përbashkët të Ushtrisë amerikane, gjenerali Dan Caine, paralajmëruan Trumpin gjatë një takimi në Shtëpinë e Bardhë për rreziqet që mund të sillte zgjerimi i operacioneve ushtarake kundër Iranit.

Një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga gjenerali Caine lidhej me rezervat e municioneve të SHBA-së. Ai i ka thënë Trumpit se ushtria amerikane kishte kapacitetet për të realizuar operacionet e urdhëruara, por paralajmëroi për pasojat afatgjata dhe presionin që një fushatë e zgjatur mund të ushtronte mbi arsenalin amerikan.

Burimet bëjnë të ditur se shqetësimi për rezervat ushtarake ishte vetëm një nga disa çështje të diskutuara gjatë takimit.

Të premten në mbrëmje, SHBA-të duket se kanë ndalur sulmet ajrore ndaj Iranit pas gati dy javësh bombardimesh të njëpasnjëshme. Një burim nga Departamenti i Mbrojtjes tha se operacionet aktualisht janë “në pauzë”.

Ende nuk dihet nëse vendimi për ndalimin e sulmeve lidhet drejtpërdrejt me shqetësimet e Pentagonit për rezervat e armëve apo me paralajmërimet për rrezikun e një përshkallëzimi më të gjerë të luftës.

Shtëpia e Bardhë deklaroi se presidenti Trump vazhdon të preferojë një zgjidhje diplomatike, por mban të hapura të gjitha opsionet nëse Irani vijon aktivitetet që SHBA-të i konsiderojnë kërcënuese në rajon.

“Presidenti Trump ka qenë gjithmonë i qartë se preferon një zgjidhje diplomatike, por ai vazhdon të ruajë të gjitha opsionet nëse Irani vazhdon aktivitetet terroriste në Ngushticën e Hormuzit apo kundër aleatëve tanë”, tha drejtori i komunikimit i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung.

Trump, pas takimit me kabinetin dhe këshilltarët e lartë, tha se negociatat me Iranin po vazhdonin dhe se Teherani dukej “më serioz” në bisedime. Megjithatë, ai nuk përjashtoi mundësinë e vazhdimit të bombardimeve ose intensifikimit të tyre.

Sipas burimeve amerikane, edhe pse Trump kishte deklaruar se po shqyrtonte një sulm masiv ndaj Iranit, ai u kishte kërkuar negociatorëve të tij që të “vazhdonin bisedimet”, duke treguar për përpjekjen për të balancuar presionin ushtarak me një zgjidhje diplomatike.

Ndërkohë, disa zyrtarë amerikanë dhe drejtues ushtarakë kanë shprehur dyshime nëse një fushatë e zgjatur ajrore do të sillte rezultatet që kërkon administrata Trump, veçanërisht pa një angazhim të trupave amerikane në terren.

Pentagoni, nga ana tjetër, ka këmbëngulur se ushtria amerikane ka kapacitetet e nevojshme për të mbrojtur interesat e SHBA-ve. Zëdhënësi i Pentagonit, Sean Parnell, tha se ushtria amerikane mbetet “më e fuqishmja në botë” dhe ka një arsenal të gjerë për të përballuar çdo operacion të urdhëruar nga presidenti.

/tvklan.al