E frikshme në Shqipëri: 206 makina kapen me shpejtësi deri në 212 km/h brenda një nate

Një situatë mjaft shqetësuese është regjistruar përgjatë orëve të fundit në rrugët e vendit, ku qarkullimi me shpejtësi ekstreme vazhdon të mbetet një kërcënim serioz për jetën e përdoruesve të rrugës.

Sipas të dhënave zyrtare nga kontrollet e kryera me pajisjet inteligjente, vetëm gjatë natës së kaluar janë evidentuar 206 raste të automjeteve që lëviznin me shpejtësi marramendëse, nga 150 deri në 212 km/h. Këto shkelje janë regjistruar në segmentet rrugore nga Lezha në Fier, ku kufiri maksimal i lejuar është vetëm 90 km/h.

Kjo sjellje konsiderohet si e papranueshme, duke nënvizuar se automjeti nuk duhet të shndërrohet në një armë vdekjeprurëse.

Nërkohë policia shprehet se përmes teknologjisë moderne në terren, çdo shkelje po identifikohet në kohë reale dhe masat administrative e ligjore do të zbatohen ndaj personave që sillen si kamikazë në timon.