Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Haxhiu ka deklaruar se me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur prej vitesh dhe se vendimi është zbatuar në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, përcjell “Bota sot”.
Njoftimi i plotë
Pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022, kam nënshkruar dekretet për lirimin e tyre nga detyra.
Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës.
Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara.
Republika e Kosovës do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri, në përputhje me ligjin dhe në mbrojtje të integritetit të institucioneve të saj.



