Gjykata e Apelit në Shkup e ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm për Ljupço Palevski-Pallço, Velibor Manev, Bore Videvski dhe Vlatko Keshishev në rastin e vrasjes së Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit. Në të njëjtën kohë, Apeli e shfuqizoi aktgjykimin lirues për babanë e Vanjës, Aleksandar Gjorçevski, dhe lëndën e ktheu për rigjykim, transmeton Portalb.mk.
Vendimi është marrë më 10 korrik, pasi në muajin maj u mbajt seancë publike ku u shqyrtuan lënda, ankesat dhe propozimi i Prokurorisë së Lartë Publike të Shkupit.
Me këtë, Gjykata e Apelit e konfirmoi aktgjykimin e Gjykatës Themelore Penale të Shkupit në pjesën dënuese për katër të akuzuarit, të cilët u shpallën fajtorë për rrëmbimin dhe vrasjen e Vanja Gjorçevskës dhe Pançe Zhezhovskit dhe u dënuan me burgim të përjetshëm.
Nga Gjykata e Apelit thanë se, duke pasur parasysh vëllimin e madh të provave dhe kompleksitetin e rastit, është duke u përgatitur versioni i shkruar i vendimit, i cili më pas do të publikohet në ueb-faqen e gjykatës.
Gjykata e Apelit e shfuqizoi edhe aktgjykimin lirues për Aleksandar Gjorçevskin, babanë e Vanja Gjorçevskës, i cili ishte i akuzuar për ndihmë në rrëmbim.
Lënda është kthyer në Gjykatën Themelore për procedurë dhe vendimmarrje të re, që do të thotë se ndaj Gjorçevskit do të zhvillohet një gjykim i ri. Sipas aktakuzës, ai akuzohej se kishte dhënë informacione për orarin kur vajza e tij dilte për në shkollë, pretendime që ai i mohoi gjatë gjithë procedurës.
Pas shpalljes së vendimit, katër të dënuarit, të cilët prej gati tre vitesh ndodhen në paraburgim në burgun e Shkupit në Shutkë, pritet të transferohen në burgun e Idrizovës, ku do ta vuajnë dënimin.
Sipas aktakuzës, grupi kishte planifikuar rrëmbimin e 14-vjeçares Vanja me qëllim që të detyronte një anëtar të familjes së saj të ngushtë të paguante shpërblim.
Ndërkaq, rrëmbimi i Pançe Zhezhovskit në Veles, sipas aktakuzës, ishte bërë me qëllim që ta detyronin t’ua jepte automjetin e tij Citroën, të cilin planifikonin ta përdornin për rrëmbimin e vajzës në Shkup.
Vanja dhe Pançe u raportuan të zhdukur më 27, përkatësisht më 24 nëntor 2023. Trupat e tyre u gjetën më 3 dhjetor 2023 në afërsi të Shkupit dhe Velesit.





