BDI: Në Ministrinë e Mbrojtjes po goditet parimi i përfaqësimit të drejte dhe adekuat

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar lidhur me përfaqësimin në Ministrinë e Mbrojtjes, duke pretenduar se të 10 drejtorët e këtij institucioni janë maqedonas dhe se nuk ka shqiptarë në pozita drejtuese në nivel drejtorie. Sipas BDI-së, kjo paraqet shkelje të parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat dhe ndikon në besimin në institucionet e sigurisë. Partia ka kritikuar edhe partnerët shqiptarë në pushtet, duke i akuzuar për mungesë të rezultateve në këtë drejtim.

“Të dhënat zyrtare të publikuara nga Ministria e Mbrojtjes tregojnë se të dhjetë drejtorët e Ministrisë janë maqedonas, ndërsa asnjë shqiptar nuk ushtron funksion drejtues në nivel drejtorie. Ky disproporcion paraqet një goditje të rëndë ndaj parimit të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat, një nga shtyllat mbi të cilat është ndërtuar stabiliteti institucional dhe marrëdhëniet ndëretnike në vend. Sektori i sigurisë dhe mbrojtjes kërkon besim të ndërsjellë, balancë dhe përfshirje të të gjitha komuniteteve. Përjashtimi i shqiptarëve nga nivelet ku merren vendimet strategjike cenon këtë besim, krijon ndjenjë margjinalizimi dhe dëmton karakterin multietnik të institucioneve që kanë përgjegjësi për sigurinë e të gjithë qytetarëve”, thonë nga BDI.