Prokuroria Themelore Publike Shkup ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë (SHÇPPQ) për veprën penale të vazhdueshme “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar” nga neni 353 paragrafi 4 në lidhje me paragrafin 1, si dhe për veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” nga neni 361 paragrafi 1 i Kodit Penal, transmeton Portalb.mk.
Sipas prokurorisë, i akuzuari, në periudhën nga 3 korriku 2021 deri në mars 2024, duke e keqpërdorur pozitën e tij si drejtor, ka tejkaluar autorizimet zyrtare dhe, pa ekzistuar bazë për udhëtime zyrtare jashtë vendit, ka nënshkruar vendime dhe urdhra udhëtimi për vete dhe për disa të punësuar në SHÇPPQ. Për nevoja private dhe pa bazë ligjore ai ka përdorur avionin qeveritar Learjet 60, ndërsa gjatë udhëtimeve janë bërë pagesa nga llogaria e SHÇPPQ-së për shpenzime të ndryshme. Përveç kësaj, ai ka përdorur pa të drejtë mjetet nga kartela zyrtare e lëshuar në emrin e tij për shërbime hoteliere dhe gastronomike. Në këtë mënyrë, ai i ka shkaktuar dëm Buxhetit të SHÇPPQ -së në vlerë totale prej 2.562.139 denarësh.
“Në periudhën nga 27 tetori 2023 deri më 14 qershor 2024, ai nuk e ka kryer detyrën e tij zyrtare me qëllim që t’i sigurojë përfitim pasuror një personi tjetër, përkatësisht pilotit të punësuar në SHÇPPQ. Edhe pse personalisht kishte marrë pjesë në takimin “Flight Safety Atlanta” dhe ishte informuar se piloti, edhe pas trajnimeve shtesë, nuk do t’i përmbushte standardet e nevojshme për të fluturuar me Learjet 60, ai nuk e ka obliguar pilotin, në përputhje me kontratën e punës, t’i kompensojë shpenzimet e trajnimit dhe nuk e ka njoftuar sektorin kompetent për t’ia ndërprerë marrëdhënien e punës. Piloti ka vazhduar të marrë pagë për pozitën e kapitenit të avionit, ndërsa me këtë keqpërdorim të pozitës zyrtare i akuzuari i ka shkaktuar dëm Buxhetit në vlerë prej 5.431.624 denarësh”, informoi Prokuroria Publike.
Siç thuhet në njoftim, veprën penale “Falsifikim i dokumentit zyrtar” i akuzuari e ka kryer gjatë procedurave të prokurimit publik për marrjen me qira të automjeteve për transportin e delegacioneve dhe për transportin e popullsisë civile nga Republika Islamike e Afganistanit në vend.
“Të gjitha kontratat janë lidhur me të njëjtën kompani për rent-a-car nga Shkupi, ndërsa në dokumentet zyrtare – deklaratat për moskonflikt interesi – i akuzuari ka paraqitur të dhëna të pavërteta, duke deklaruar se nuk kishte interes privat në realizimin e prokurimit publik dhe as ndonjë përfitim material apo jomaterial. Në të kundërtën, duke filluar nga periudha para lidhjes së kontratës, gjatë mandatit të tij dhe edhe pas përfundimit të tij, ai dhe bashkëshortja e tij kanë përdorur automjete pa pagesë nga e njëjta kompani për udhëtime brenda dhe jashtë vendit”, thuhet në njoftim.
Në këtë pjesë të rastit ishte zhvilluar hetim edhe ndaj pronarit të kompanisë për veprën penale “Dhënie ryshfeti” nga neni 358 paragrafi 1 në lidhje me nenin 45 të Kodit Penal.
Megjithatë, nga provat e siguruara gjatë hetimeve, prokurori publik nuk ka konstatuar se te ai ka ekzistuar qëllimi për të siguruar përparësi në vendimmarrjen për tenderët konkretë përmes dhënies së automjeteve pa pagesë të akuzuarit.
Për këtë arsye, prokurori publik ka nxjerrë urdhër për ndërprerjen e procedurës hetimore ndaj këtij personi.
Kujtojmë e vitin e kaluar, Drejtoria e Policisë Financiare në Prokurorinë Themelore Publike Shkup ka paraqitur kallëzim penal kundër Pecevskit, si ish-drejtor i Shërbimit për Çështje të Përgjithshme dhe të Përbashkëta të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për veprat penale “Marrje e ryshfetit”, “Falsifikim i dokumentit zyrtar”, “Përvetësim në shërbim” dhe “Punë nga pakujdesia në shërbim” dhe ndaj një person fizik në cilësinë e pronarit dhe menaxherit të personit juridik nga Shkupi për veprën penale “Dhënie ryshfeti”.
Mirçeski e ka mbajtur këtë post të lartë në SHQÇPP që nga fillimi i qeverisjes së ish-kryeministrit Zoran Zaev, nga qershori i vitit 2017. Mirçeski ka mbajtur pozitë të rëndësishme partiake edhe në radhët e LSDM-së.



