Shpërthen trajneri i Egjiptit: Pse na thirrët kur doni kaq shumë që Messi të fitojë

Trajneri i Egjiptit, Hossam Hassan, nuk i kurseu akuzat në konferencën për shtyp pas humbjes 3-2 ndaj Argjentinës, duke pretenduar se sfida ishte manipuluar. Ashtu si lojtarët e tij, ai shprehu pakënaqësi të forta për arbitrimin dhe akuzoi hapur FIFA-n se synonte me çdo kusht ta shpallte sërish Argjentinën kampione.

“Do të them atë që kam në mendje, pavarësisht pasojave. Kjo ishte qartësisht një ndeshje e manipuluar dhe e gjithë bota e pa. Kam edhe një pyetje: nëse duan kaq shumë që Argjentina të fitojë, atëherë pse i ftojnë të gjithë të marrin pjesë? Gjithçka sillet rreth parave. Ata duan që Messi të vazhdojë në turne. Në futboll ndodhin shumë gjëra edhe jashtë fushës. Ajo që ndodhi ishte e padrejtë”, deklaroi Hassan.

Tensionet në fushë

Pakënaqësitë e kampit egjiptian nisën pas golit të barazimit të Lionel Messit, kur lojtarët dhe stafi protestuan ashpër ndaj arbitrit, duke pretenduar se aksioni ishte paraprirë nga një faull. Revolta u shtua edhe më shumë pasi, më herët gjatë ndeshjes, një gol i Egjiptit ishte anuluar për faull në fazën e ndërtimit të aksionit.

Tensionet arritën kulmin në minutat e fundit të takimit, kur arbitri François Letexier ndëshkoi me karton të verdhë një anëtar të stafit egjiptian. Menjëherë më pas, Hossam Hassan bëri një gjest në formë “X” me duar në drejtim të gjyqtarit. Ky veprim është përdorur në raste të ndryshme në futboll dhe shpesh është lidhur me pretendime për abuzim racist, megjithëse nuk është konfirmuar se ky ishte mesazhi që synonte të përcillte trajneri egjiptian.

Një episod i ngjashëm u regjistrua edhe në vitin 2010, kur Jose Mourinho, në atë kohë trajner i Interit, përdori një gjest të ngjashëm ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Veprimi u interpretua si simbol i prangave dhe portugezi u pezullua me tre ndeshje.