Grante për vetëpunësim këtë vit do të mund të shfrytëzojnë edhe të rinjtë mërgimtarë që duan të investojnë dhe të nisin një biznes në vendlindje. Për ta është paraparë edhe një bonus prej 10 për qind mbi shumën bazë të grantit. Këto masa u promovuan në Kërçovë.
Njëri nga të interesuarit i cili planifikon të kthehet nga Gjermania kërkoi sqarim nëse mund të përfitojë grant.
“Kam vendosur të vij në Kërçovë të kthehem me një ide biznesi të sjellë në Maqedoni suxhuk, sallam nga Gjermania dhe Hollanda. Unë këtë kompani ka 6 muaj që e kam hapur. Ende nuk kam filluar dhe mendoj të filloj pas një muaji. Unë sa e kuptova granti është për ata që duan të hapin prej fillimi kompaninë, per mua që e kam hapur firmën a më takon grant?”, theksoi Valmir Useini – mërgimtar.
Përgjigja për mërgimtarin ishte se ai mund të konkurrojë si person fizik në masat që mbështesin punësimin.
Edhe qytetarë të tjerë kërkuan sqarime lidhur me mënyrën e shfrytëzimit të mjeteve.
“Në pjesën e vetëpunesimit a hyjnë dhe rroga dhe pagesa tjera apo është vetem për paisje?”
Zv/ ministri për ekonomi Marjan Ristevksi tha se janë tre kategori të aplikimeve duke sqaruar se ky projket ndër vite ka ndihmuar shumë të rinjë të përparojnë.
“Kjo masë ka tre kategori e para është punësimi deri në 29 vjet të cilët do të mund të marrin grant ose subvencione deri në 10 mijë euro, persona mbi 29 vjet ata do të subvencionohen me biznes privat deri ne 7 mijë euro dhe masa e tretë është të mund të shoqërohen mes vete dy të rinj dhe si bashkëpunëtor do të marrim nga 10 mijë euro në total 20 mijë euro”, u shpreh Marjan Ristevski- zv/ ministër i Ekonomisë.
Nga ana tjetër, zëvendësdrejtoresha e Agjencisë për Punësim, Vesna Peshova, sqaroi se disa kategori nuk kanë të drejtë të aplikojnë për këto grante.
“Bujqit, sepse per ata ka ndihmë financiare nga qeveria nëpërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe nuk mundet të njëjtët persona të marrin dy here para nga shteti e dyta është prodhimi I armëve edhe filialet financiare dhe bastoret si dhe kazinotë, agjencionet private për punësime”, u shpreh Vesna Peshova- zv drejtoresh e Agjencionit për Punësim.
Kusht themelor për aplikim është që personi të jetë i papunë dhe i regjistruar si kërkues aktiv i punës në Agjencinë për Punësim.





