Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se Rusia po përballet me pasojat e drejtpërdrejta të luftës, duke iu referuar mungesave të karburantit në disa rajone ruse pas sulmeve ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike.
“Putini mund të thotë sa të dojë se gjithçka është nën kontroll dhe se ka mjaftueshëm karburant. Por rusët që presin në radhë për furnizim e shohin qartë se e ashtuquajtura ‘luftë tri ditore’ ka hyrë tashmë në vitin e pestë. Edhe një shtet prodhues nafte po përballet me mungesa karburanti. Kjo është një pasojë e drejtpërdrejtë e luftës”.
Gjatë deklaratës së tij, Zelensky tha se Kremlini vazhdon të ushqejë pritshmëri për pushtimin e plotë të rajonit të Donjeckut. Sipas tij, që nga nisja e pushtimit në vitin 2022, Moska ka vendosur plot 15 afate për marrjen e këtij rajoni, por secili prej tyre është shtyrë.
“Që nga fillimi i luftës në shkallë të plotë, ushtrisë ruse i janë vendosur 15 afate për të pushtuar rajonin e Donjeckut. Rusia vazhdon të jetë e fiksuar pas Donbasit. Edhe këtë vit afati u shty fillimisht për 31 marsin, më pas për 1 shtatorin dhe tani për 31 dhjetorin. Nëse Rusia nuk i jep fund luftës, do të detyrohet ta shtyjë sërish këtë afat”.
Deklaratat e presidentit ukrainas erdhën një ditë pasi Vladimir Putin hodhi poshtë propozimin e Kievit për ndërprerjen e sulmeve me rreze të gjatë dhe uljen e intensitetit të luftimeve. Ndërkohë, sulmet me dronë vazhdojnë në të dyja anët e kufirit.
Në rajonin e Moskës, autoritetet ruse njoftuan se një foshnjë gjashtëmuajshe humbi jetën pasi mbetjet e një droni ranë mbi një banesë private në qytetin Jegorjevsk.
Një ditë më parë, një sulm rus shkaktoi vrasjen e një 23-vjeçareje dhe plagosi 12 persona të tjerë.
Klan News
/tvklan.al



