Eurodeputetja italiane Ilaria Salis ishte e pranishme këtë të shtunë në protestën që po mbahet në ditën e saj të 28-të në Tiranë, ku gjatë fjalës së saj ajo u shpreh se: “Ju po bëni histori, Europa është këtu në Shqipëri, vazhdoni misionin tuaj, rroftë revolucioni i flamingove”.
Mbi këtë frazë, e ftuar në Review me Greta Topjana, Milva Ekonomi, deputete e Partisë Socialiste, u shpreh se vullneti i qytetarëve shqiptarë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Europian është i palëkundur dhe se strukturat shtetërore po punojnë pikërisht në këtë drejtim.
Ekonomi e cilësoi tubimin e qytetarëve si një manifestim të natyrshëm të rendit demokratik. Sipas saj, çdo lëvizje apo protestë qytetare, përfshirë edhe atë që eurodeputetja italiane e quajti si “revolucioni i flamingove”, dëshmon funksionimin e lirive dhe të drejtave demokratike në vend.
“Europa në Shqipëri është, se jemi duke punuar për të bërë atë gjënë që të hyjmë në Bashkimin Europian.
Kjo është pjesa e rëndësishme. Unë dua ta kuptoj kështu, sepse mendoj që nuk ka një gjë që mund ta ndalë tani këtë dëshirën e 92% të shqiptarëve për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Dhe këtë e tregoi Komisioni Europian një javë përpara, 92% e shqiptarëve e dëshirojnë akoma shumë fort të jenë pjesë e Bashkimit Europian dhe kjo qeveri është duke punuar për ta sjellë Europën në Shqipëri.
Edhe ky revolucioni i flamingove për zonjën Ilaria natyrisht që është shprehja e demokracisë, se në fund shprehja e demokracisë është, a është ajo protestë”, u shpreh ajo.



