Beogradi zyrtar mbron hapur Radoiçiqin, Petkoviq e quan “patriot” organizatorin e sulmit terrorist në Banjskë

Kosovo police officers secure the area outside the Banjska monastery in the village of Banjska, Kosovo on Wednesday, Sept. 27, 2023. Police on Wednesday allowed media into the village of Banjska, where a daylong shootout between armed Serbs and Kosovar police on Sunday left one officer and three gunmen dead. (AP Photo/Visar Kryeziu)

Petar Petkoviq, drejtor i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, përmes një deklarate ka mbrojtur publikisht Milan Radoiçiqin, të cilin autoritetet e Kosovës e kanë identifikuar si organizatorin kryesor të sulmit terrorist të 24 shtatorit 2023 në Banjskë.

Petkoviq, në reagimin e tij në “X” ndaj kritikave të opozitës serbe, e quajti “të ulët dhe të turpshme” akuzën se Radoiçiq është përgjegjës për terrorin ndaj serbëve, duke e hedhur fajin tërësisht te kryeministri në detyrë Albin Kurti.

Petkoviqi sulmoi edhe politikanin opozitar serb, Miroslav Aleksiq, për shkak të kritikave ndaj Radoiçiqit, duke deklaruar se “një patriot serb nuk e dëbon popullin e vet, por lufton për të me zemër e me shpirt”.

Kjo deklaratë vjen si një mbështetje e qartë politike nga Beogradi zyrtar për një figurë të lidhur me sulmin e armatosur kundër forcave të rendit të Kosovës.

Radoiçiq vetë ka pranuar përgjegjësinë për organizimin e sulmit, duke thënë se ai personalisht ka bërë të gjitha përgatitjet logjistike. Pavarësisht kësaj, ai vazhdon të jetë i lirë në Serbi, pa u ndjekur penalisht nga autoritetet serbe.

Për sulmin terrorist në Banjskë, bashkësia ndërkombëtare, përfshirë NATO-n kanë kërkuar në vazhdimësi përgjegjësi nga Serbia duke kërkuar që Milan Radoiçiq të sillet para drejtësisë. /Telegrafi/