Vazhdon kaosi dhe humbja e termineve në Qendrën Klinike të Shkupit

Pavarësisht premtimeve të njëpasnjëshme për zgjidhjen e kaosit me parkingun në Qendrën Klinike Universitare ‘Nënë Tereza’ në Shkup, ende nuk është shpallur tenderi për garazhin në kate. Derisa tollovia vazhdon, pacientët vazhdojnë të paguajnë ‘faturën’. Ata ankohen se shpesh duhet të marrin shoqërues me vete të cilët duhet të merren me gjetjen e parkingut, nga kjo gjendje shpesh humbin edhe terminet. Kjo ‘golgotë’ nuk pritet të përfundojë para gjysmës së dytë të vitit të ardhshëm, shkruan Portalb.mk.

Tollovi, nervozizëm, konfuzion dhe deri te humbja e terminit mjekësor, kjo është përditshmëria e pacientëve në Qendrën Klinike, të cilët përballen me vështirësi të mëdha deri sa të gjejnë një vend për parkim.

Pacientët ankohen për neglizhencë ndaj kërkesave të tyre dhe mospërfillje të nevojave të qytetarëve.

Mevludin Qerimi për Portalb.mk, tha se për një termin mjekësor duhen të angazhohen edhe dy persona të tjerë për ta dërguar një familjar në spital. Ai tha se jo gjithmonë mund te merret pushim nga puna, vetëm për ta shoqëruar një familjar në spital.

“Njëri duhet ta shoqërojë pacientin deri te mjeku dhe tjetri ta marrë veturën dhe të gjej parking, kështu është mënyra e vetme për të mos e humbur terminin te mjeku”, u shpreh Qerimi.

Një tjetër qytetar, Milaim Shabani, u përgjigj shkurt duke thënë se gjendja është katastrofë dhe askush nuk interesohet për nevojat e qytetarëve.

“Gjithmonë është kështu dhe mund të humbasim deri në një orë vetëm për të gjetur një vend për ta parkuar veturën. Kjo nuk është në rregull, duhet gjetur një zgjidhje sa më shpjetë të jetë e mundur”, u shpreh ai.

Një tjetër qytetar tregon për Portalb.mk se shpesh kur i dërgon prindërit për kontrolle në Klinikë, nuk futet aspak aty sepse vetëm edhe nëse futesh brenda hapsirave të klinikës, dalja të merr shumë kohë.

“Më kujtohet njëherë mbi një orë mu desh të sillem vetëm nga hyrja deri te dalja për shkak të kaoisit të madh, nuk ka aspak rend, të paktën me këto kushte ekzistuese që janë të ketë një organizim më të mirë, parkohen gjithandej, i bllokojnë rrugët, skandaloze, nuk e di çfarë të them”, tha ai.

Ministria e Shëndetësisë (MSh) dhe Qyteti i Shkupit në mars 2026 e nënshkruan marrëveshjen për ndërtimin e parkingjeve në kuadër të Qendrës Klinike Nënë Tereza. Marrëveshja është për 15 vjet, me 10 përqind qira nga qarkullimi i përgjithshëm i realizuar.

Në fazën e parë është paraparë ndërtimi i dy parkingjeve moderne në kate, me të paktën 500 vende parkimi, të cilat pritet të vihen në funksion deri në gjysmën e dytë të vitit të ardhshëm.

Parkingjet do të jenë të destinuara për pacientët dhe për të punësuarit në Qendrën Klinike. Është planifikuar që njëri parking të jetë te Klinika e Gjinekologjisë, ndërsa tjetri te kisha në Klinikë.

Megjithatë, ende nuk është shpallur tenderi dhe nuk dihet kur do të fillojnë punimet.

Ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, i cili pati premtuar se deri në maj do të ketë parking të ri në Qendrën Klinike, për Portalb.mk, tha se sipas kontratës me Qytetin e Shkupit, parkingun në garazhe duhet ta bëjnë këta të fundit.

“Ata kishin ribalancim të buxhetit, ka kaluar por pritet që të hapet tenderimi. Investitor tani është Qyteti i Shkupit dhe përgjegjësia është e tyre. Në 15 vitet e ardhshme ne do marrim vetëm 30% të të ardhurave, ndërsa obligimet tjera do t’i takojnë Qytetit të Shkupit”, tha Aliu.

Nga ana tjetër, Qyteti i Shkupit për Portalb.mk thotë se ende është duke u përgatitur dokumentacioni për tenderimin e garazhit shumëkatësh në Qendrën Klinike,.

“Tenderi për projektimin, prokurimin dhe instalimin e garazheve shumëkatëshe është planifikuar të shpallet në gjysmën e parë të korrikut. Prandaj, ende nuk është shpallur në këtë kohë, pasi i gjithë dokumentacioni i nevojshëm për zbatimin e procedurës është duke u finalizuar. Pas përfundimit të procedurës së tenderit, do të merren të gjitha miratimet e përcaktuara me ligj. Sapo të plotësohen këto parakushte, do të fillojë ndërtimi dhe instalimi i garazheve shumëkatëshe, dhe pas përfundimit të tyre ato do të vihen në funksion”, u përgjigjën nga Qyteti i Shkupit.

Kujtojmë se parkimi në këtë pjesë të Shkupit është problem kronik që asnjë ministër i Shëndetësisë deri më tani nuk ka gjetur mënyrë për ta zgjidhur, megjithëse shumë prej tyre, kur u emëruan në detyrë, gjëja e parë që premtuan ishte pikërisht kjo – zgjidhja e problemit të parkimit.

Aktualisht, Qendra Klinike disponon rreth 800 vende parkimi, ndërsa ndërtimi i garazheve dykatëshe do të siguronte edhe 800 deri në 900 vende shtesë.

Në 10 vitet e fundit, kanë ndryshuar 9 ministra të shëndetësisë. Imer Selmani, Bujar Osmani, Nikolla Todorov, Arben Taravari (2 mandate), Venko Filipçe, Bekim Sali, Fatmir Mexhiti, Ilir Demiri dhe Azir Aliu (aktual). Shumë prej tyre premtuan zgjidhjen e kaosit.