Pranvera Studentore Shqiptare le të vazhdojë në Maqedoninë e Veriut

Shkruan: Muhamer Pajaziti

Studentët dhe rinia kanë qenë gjithmonë forca që kanë lëvizur historinë. Revolucionet më të njohura njerëzore kanë lindur pikërisht nga vrulli rinor, sidomos kur kauzat kanë qenë liria, drejtësia, barazia dhe dinjiteti njerëzor. Atëherë protestat shndërrohen në një energji të pandalshme që sfidon padrejtësinë, diskriminimin dhe pushtetin arbitrar.

Këtë forcë e tregoi edhe rinia shqiptare në Maqedoninë e Veriut gjatë manifestimeve të Nëntorit dhe veçanërisht gjatë protestave për gjuhën shqipe. Ato protesta dëshmuan se ekziston një vetëdije e lartë qytetare dhe kombëtare, por mbetet e paqartë pse ai mobilizim u shua kaq shpejt.

Kërkesat nuk kanë përfunduar. Përkundrazi, ato duhet të zgjerohen: për avancimin e statusit të gjuhës shqipe, për largimin e formulimit diskriminues të “20 për qindshit”, për përfaqësim të drejtë dhe të garantuar, për regjistrim të drejtë të popullsisë, për shpërndarje më të barabartë të buxhetit dhe për barazi të plotë në të gjitha nivelet e jetës institucionale.

Kam edhe një lutje për studentët: nëse shihni politikanë që afrohen pranë protestave vetëm për selfie, marketing politik apo përfitim elektoral, mos lejoni që kauza juaj të përdoret për interesa personale. Protestat qytetare duhet të mbeten të qytetarëve dhe studentëve.

Rinia studentore duhet ta udhëheqë këtë proces. Ajo duhet të jetë zëri që artikulon kërkesat legjitime dhe forca që i prin betejës demokratike për të drejtat dhe liritë themelore të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut.

Pranvera studentore shqiptare nuk duhet të mbetet një kujtim. Ajo duhet të vazhdojë.