Moti sot

Moti i qëndrueshëm dhe me diell në Maqedoninë e Veriut, që nga fillimi i javës së ardhshme, pritet të pësojë një ndryshim të ndjeshëm.

Një valë paqëndrueshmërie, e shoqëruar me reshje të rrëmbyeshme shiu dhe stuhi lokale, do të përfshijë pothuajse të gjitha qytetet në vend.

Ndryshimi i motit do të nisë gradualisht që nga e hëna, ndërsa kulmi i reshjeve dhe përkeqësimi më i madh i motit priten nga mesi i javës.

Në disa zona të vendit pritet të bien sasi të konsiderueshme reshjesh në një periudhë të shkurtër kohore, gjë që mund të shkaktojë probleme.

Lokalisht, proceset atmosferike do të jenë mjaft intensive, me shkarkime të forta elektrike, reshje të dendura shiu dhe erë të përforcuar nga drejtimi verior.

Qytetarët që planifikojnë aktivitete në ambient të hapur duhet të jenë shumë të kujdesshëm, për shkak të mundësisë për reshje të papritura breshëri.

“Nga e hëna vijon një periudhë me mot pjesërisht të vranët dhe të paqëndrueshëm, me reshje shiu, të cilat do të jenë më të dendura të martën dhe të mërkurën, vende-vende mbi 15 l/m². Lokalisht, proceset do të jenë në formë stuhie afatshkurtër, të shoqëruara me reshje të rrëmbyeshme shiu, erë të përforcuar, bubullima dhe kushte për paraqitje të breshrit. Do të fryjë erë mesatare, kryesisht nga drejtimi verior”, thonë nga DPHM.