Itali, Ronaldinho rikthehet në fushë në moshën 46-vjeçare!

Një lajm i pabesueshëm po trondit botën e futbollit. Ronaldinho, legjenda braziliane e Barcelonës dhe Milanit, është gati të rikthehet në fushë në moshën 46-vjeçare, pasi ka arritur marrëveshjen me Ravennën, klub italian i Serisë C.

Prezantimi zyrtar i ish-fituesit të Topit të Artë është planifikuar për 23 qershor në Miami, në një event madhështor të organizuar nga presidenti i klubit, Ignazio Cipriani. “Ngjyra të reja, e njëjta buzëqeshje. Mezi pres të vallëzoj sërish me topin dhe të shkruaj një histori të re me Ignazion dhe familjen Cipriani. Futbolli ka qenë gjithmonë një burim gëzimi për mua dhe dua ta sjell të njëjtën frymë te Ravenna”, ka deklaruar Ronaldinho.

Sipas mediave italiane, braziliani nuk do të jetë vetëm lojtar, por mund të bëhet edhe aksionar i klubit, falë marrëdhënies së ngushtë me pronarin Cipriani. Prioriteti i tij mbetet të vihet në dispozicion të trajnerit Andrea Mandorlini, me Ravennën që synon ngjitjen në Serinë B pas dështimit të sezonit të kaluar.

Ronaldinho nuk ka luajtur një ndeshje zyrtare që prej 26 shtatorit 2015, kur veshi për herë të fundit fanellën e Fluminenses. Gjatë gati 11 viteve, ai ka qenë aktiv në evente dhe reklama, ndërsa talenti i tij ka vazhduar të magjepsë rrjetet sociale.

Në karrierën e tij, “Gaucho” ka zhvilluar 647 ndeshje, ka shënuar 235 gola dhe ka dhuruar 181 asistime. Ai ishte një nga protagonistët kryesorë të Brazilit kampion bote në vitin 2002 dhe një nga figurat që kontribuoi në hapat e parë të Lionel Messit te Barcelona.

Tani, kur shumëkush mendonte se kapitulli i tij në futboll ishte mbyllur përgjithmonë, Ronaldinho është gati të sfidojë kohën dhe të rikthejë magjinë e tij në fushë. Edhe një paraqitje e vetme do të mjaftonte për të ringjallur legjendën e një prej futbollistëve më të dashur në histori.

© SYRI.net