T’i hedhesh në qafë Blerim Latifit

Shkruan: Nebi Murseli

Berat Buzhala, në një shkrim, i pat quajtuar “sumunxhi” shqiptarët e Maqedonisë, në një garë zgjedhore të udhëhequr nga BDI dhe PDSH. Krejt shkrimi ishte përbuzës dhe denigrues për gjithë shqiptarët – partitë politike dhe votuesit.
E redukoi shkrimin se dimë të bëjmë sumune e byrekë dhe se jemi larg kulturës politike.

Posaçërisht nemi e shau që edhe gazetarët nuk shkruajnë e bëjnë më shumë. Edhe pse drejtonim gazeta konkuruese, megjithatë e botoi në Express-in e tij një shkrim-reagim tim “Bukëpërmbysësi”, aludimi te “somuni tetovar” i Buzhalës. E pranoi se kisha shkruar me vite e vite për gjendjen e shqiptarëve, duke qenë i kërcënuar shpesh. Kam pësuar nga politikanët shqiptarë, të cilët të armiqësuar ndër veti bashkoheshin për të më sulmuar ndërsa drejtoja media.

Blerim Latifi shkroi se shqiptari i Maqedonisë mund të të hidhet në fyt për Palestinën, por kur i ndërrojnë emrin shqip të rrugës para shtëpisë, kthen kokën në anën tjetër! (sic). E lidhi me vendimin e marrë ditë më parë të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e një vendimi që e kishte marrë para dy dekadash Kuvendi Komunal i Tetovës – disa rrugë të qytetit ishin emërtuar me emra që lidhen me historinë dhe identitetin shqiptar, e që zëvendësonin emra të së kaluarës komuniste e partizane, duke u nisur nga Titoja.

Një profesor universitar dhe filozof për nga vokacioni, ndërlidhjen e bënë shumë të vrazhdë dhe abuzuese. Nëse vendimi i marrë nga gjykata pas dy dekadave nuk është rastësi, por pasqyrim i ndryshimit të rrethanave politike, ku është rifaktorizuar VMRO dhe një plogështi e shprehur kundërvënëse nga VLEN-i, atëherë nuk është motiv që tetovarët të dalin rrugëve e të mbrojnë emrat shqiptarë, duke bërë një “revolucion somunash”. Ashtu është në shikim të parë.

Por, thelbi është më i thellë. Ka ngecje në procedurat e koklavitura të shkallëve institucionale dhe funksionimit të mekanizmit mbrojtës të pakicës ndaj shumicës etnike në të gjitha nivelet. Kjo është e para, e dyta është se BDI, si promotore e ndryshimit të këtyre emërtimeve në Tetovë, për dy dekada sa ishte në pushtet, nuk arriti të mbyllë edhe formalisht këtë çështje.

E la zvarëë siç la shumë çështje të hapura e që pretendonte se janë mbyllur. Rasti më i mirë gjuha shqipe, që është objekt i shoshitjes nga Gjykata Kushtetuese.

Tetovarët para disa muajve dolën në zgjedhje dhe ndëshkuan BDI-në, jo që votuan VLEN-in. Dhe nuk do të hidhen në protesta as para rrugës së shtëpisë së tyre, sepse në tabela janë emra shqiptarë, e në letërnjoftime kanë emra rrugës të së kaluarës.

E dinë ku është hilja dhe kilja. E sa për për ndërsyrjen se tetovarët të hidhen në fyt për Palestinën… Le të jetë një gaf e huqje e Blerimit se si profesor universitar nuk do të duhej të përgjithësonte gjërat. Profesorët e përbashkët që i kemi pas nuk na kanë mësuar ashtu. Kam patur fatin të jem student nga Maqedonia në kohën më të keqe së studiuari në Kosovë dhe profesorë të kem Fehmi Aganin, Ukshin Hotin, Muhamedin Kullashin, Ramush Mavriqin, Kadri Metajn… Ata na kanë mësuar ndryshe.

E profesorët që i ka pas Blerimi nuk besoj që kanë ligjëruar ndryshe. Na kanë mësuar si të duhet atdheu! Dhe jorastësisht nga Fakultetit Filozofik filluan organizimet e para e demonstratat kundër suprimit të autonomisë.

Tabelat e rrugëve të Tetovës – Iliria, Dëshmorët e Kombit dhe Dervish Cara do të mbeten. E kur dikush merrë guximin të rrëzojë përtokë, atëherë ata “somunxhi” të Buxhalës, e “palestinezët” e Latifit do të dinë të reagojnë. Deri atëherë nuk do t’i hedhen as në fyt e as në qafë profesorit!
Se shqiptarët janë politikisht më të dobët sesa ishin dikur, kjo edhe mbase qëndron. Dhe çështja e gjuhës shqipe është rikthyer pas sa vitesh, kur të gjithë mendonin se gjitha çështjet e hapura janë mbyllur. Këtë e thoshte Ali Ahmeti dhe BDI. Thonin se shqiptarët duhet t’iu kthehen lakrave e sallatave – agjenda e gjelbër!

Dy protestat e studentëve për gjuhën shqipe rezultuan me një zgjidhje për momentin, ndoshta, më të përshtatshme – kombinimi dygjuhësor i dhënies së provimit të Jurisprudencës. Aludimi i Latifit se protestat e studentëve nuk arritën të shndërrohen në lëvizje politike është prejudikim. Këta student sikur po shfrytëzojnë më së shumti BDI-në në vend se kjo po i shfrytëzon ata!
E elitë kulturore kurrë nuk patur! Të thuash se këto se kjo “elitë kulturore”, po i ngjan përditë e më shumë elitave kulturore të Lindjes së Mesme… është huqje totale e rrethores së cakut.

Sa për nacionalistët maqedonas, të cilët sipas Latifit, e dinë këtë gjendje, dhe se i janë futur punës për t’i shkatërruar të gjitha rezultatet që arritën shqiptarët pas luftës së vitit 2001, do të hasin në vështirësi! Edhe atë të shumta. Më të rënda nëse i kthehen të së kaluarës.