Gjykata e Apelit rrëzon dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e nënës 84-vjeçare – rasti rikthehet në rigjykim

Gjykata e Apelit në Shtip ka shfuqizuar aktgjykimin me të cilin shtipjani Stojançe Zarkov ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e nënës së tij dhe lëndën e ka kthyer për rigjykim në Gjykatën Themelore të Shtipit.

Nga Apeli njoftojnë se Zarkov, i cili tashmë kishte nisur vuajtjen e dënimit, pas këtij vendimi do të rikthehet në paraburgim deri në përfundimin e procedurës së re gjyqësore.

Dënimi me burgim të përjetshëm iu shqiptua në muajin shkurt të këtij viti për vrasjen e nënës së tij 84-vjeçare, Marija Zarkova, e kryer më 8 gusht të vitit të kaluar në shtëpinë familjare në Shtip. Sipas aktgjykimit, ai e kishte vrarë me thikë në orët e hershme të mëngjesit, ndërsa më pas vetë kishte telefonuar numrin e emergjencës.

Gjatë shpalljes së vendimit të shkallës së parë, gjykatësi Sashko Georgiev e kishte cilësuar rastin si një nga veprat më të rënda penale – vrasje, duke theksuar se mbrojtja e jetës njerëzore ka karakter absolut.

Sipas të dhënave nga arkiva gjyqësore, Zarkov më herët ishte gjykuar në tri raste për vepra që lidhen me dhunën në familje.

Me vendimin e Gjykatës së Apelit, i gjithë rasti do të shqyrtohet sërish nga Gjykata Themelore në Shtip, e cila do të duhet të marrë një vendim të ri.