Vendimi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët po gjykohen në Hagë, pritet të shpallet në korrik të këtij viti. Ndonëse fillimisht ishte paraparë që aktgjykimi të shpallej në qershor, ende nuk është e sigurt nëse kjo do të ndodhë më 20 korrik apo nëse do të ketë një shtyrje tjetër.
Kjo pasi Gjykata Speciale as nuk e ka konfirmuar dhe as nuk e ka mohuar se është vendosur që aktgjykimi të shpallet më 20 korrik.
“Trupi Gjykues e zgjati afatin për nxjerrjen e aktgjykimit deri më 20 korrik 2026. Në atë urdhër, Trupi Gjykues gjithashtu theksoi se, nëse një shtyrje e mëtejshme do të jetë absolutisht e nevojshme, do të nxjerrë një urdhër përkatës në kohën e duhur. Sapo Trupi Gjykues të caktojë datën për shpalljen e aktgjykimit, ne do ta bëjmë atë publike”, deklaroi për Albanian Post zëdhënësja e Gjykatës Speciale në Hagë, Angela Griep.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi u arrestuan në nëntor të vitit 2020, në një kohë kur pak kush mund ta parashikonte se si do të zhvillohej ky proces: sa do të zgjaste, cilat prova do të kishin peshën më të madhe dhe cili do të ishte epilogu i tij.
Ish-krerët e UÇK-së, në vitet që pasuan, mbetën të izoluar në paraburgimin e Hagës, pa asnjë mundësi për t’u mbrojtur në liri. Për më shumë se dy vjet e gjysmë ata qëndruan prapa grilave, edhe para se procesi gjyqësor të merrte formë konkrete, nën arsyetimin e vazhdueshëm se ekzistonte rreziku i arratisjes.
Vetëm në vitin 2023 nisi realisht gjykimi. Gjatë zhvillimit të tij, prokuroria paraqiti 125 dëshmitarë dhe dorëzoi mijëra faqe materialesh provuese. Në këtë proces, 154 persona morën statusin e viktimës.
Megjithatë, rruga e paraqitjes së provave nga prokuroria nuk ishte pa pengesa. Humbja e kontaktit me disa dëshmitarë, refuzimi i disa të tjerëve për të dëshmuar dhe problemet shëndetësore që ndërprenë disa dëshmi u bënë pjesë e ecurisë së rastit.
Para mbylljes së çështjes, prokuroria dorëzoi një volum të madh materialesh, përfshirë edhe dokumente të siguruara nga autoritetet e Serbisë.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, këto dokumente ishin konfiskuar gjatë luftës në bazat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe lidhen me Shtabin e Përgjithshëm, funksionimin e zonave operative, komunikimet dhe vendimmarrjet e kohës, si dhe me strukturën organizative të UÇK-së.
Megjithatë, këto prova u kontestuan vazhdimisht nga mbrojtja, e cila ngriti dyshime mbi besueshmërinë e tyre, duke theksuar mungesën e autorësisë, vulës dhe nënshkrimit në disa prej dokumenteve.
Ndryshe nga narrativa e prokurorisë, mbrojtja ndërtoi një interpretim tjetër të ngjarjeve, të mbështetur edhe në dëshmitë e figurave ndërkombëtare që kishin qenë pjesë e proceseve të asaj kohe.
Ish-zyrtarë dhe diplomatë si James Rubin, John Duncan, William Walker dhe Javier Solana dëshmuan në favor të një interpretimi tjetër të luftës, duke theksuar se Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk ishte krijuar për të kryer krime, por për të mbrojtur popullin e Kosovës nga një agresion i gjerë.
Gjatë dy viteve të fundit, në sheshet e Kosovës dhe në qytete të tjera të rajonit, mes flamujve kuqezi dhe thirrjeve që kumbonin si jehonë e një historie të papërfunduar, mijëra qytetarë kanë dalë për të kërkuar atë që e shohin si një të drejtë elementare: lirinë për ish-krerët e UÇK-së.



