Refuzohen mbi 2,200 pako votash me postë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri në mëngjesin e së shtunës janë numëruar votat nga 46 prej 47 vendvotimeve të hapura në përfaqësitë diplomatike të Kosovës jashtë vendit.

Votimi në përfaqësitë diplomatike është zhvilluar më 6 qershor në 30 ambasada dhe konsullata të Kosovës, të vendosura në 18 shtete të ndryshme. Nga 27,724 qytetarë të regjistruar për të votuar në këto përfaqësi, votën e kanë hedhur 22,860 persona, që përbën 82.46 për qind të votuesve të regjistruar.

Ndërkohë, të premten në mbrëmje ka nisur edhe numërimi i votave të dërguara përmes postës. Bëhet fjalë për fletëvotimet që kanë arritur në 23 kutitë postare të KQZ-së.

Para se të numërohen, zarfet me fletëvotime kalojnë nëpër një proces verifikimi. Pas vlerësimit, ato sistemohen në kuti votimi sipas komunave ku janë të regjistruar votuesit.

Sipas të dhënave të KQZ-së, deri në fund të ditës së premte janë shqyrtuar mbi 60 mijë pako postare. Nga to, 59,973 janë aprovuar, ndërsa 2,244 janë refuzuar.

Arsyeja kryesore e refuzimit ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit, dokument që përmban të dhëna unike dhe që u dërgohet votuesve të regjistruar nga KQZ-ja. Vetëm për këtë arsye janë refuzuar 2,066 pako.

Votimi përmes postës ishte i hapur nga 21 maji deri më 6 qershor 2026. Për këtë formë votimi ishin regjistruar rreth 105 mijë shtetas të Kosovës që jetojnë jashtë vendit.