Nga Xhabir Ahmeti
Këto ditë “rrufeja” qëlloi dy herë në të njëjtën kullë. Në kullën e Zekollve të Bllacës së Suharekës. Brenda pak ditëve kjo shtëpi fisnike mbeti pa dy djem prej të pesëve sa i kishte Sylejmani, i biri i Jup Zekollit. Ndërruan jetë Demiri, më i madhi i djemve dhe Arsimi, më i vogli. I mbaj mend që të dytë mirë për shkak se kam qenë mësues në Bllacë dhe kemi qenë miq me Jup Zekollin, një nga burrat e rrallë të traditës, njeri i afërt me tribunin e popullit shqiptar, Ramë Bllacën . Shpesh e vizitonim njëri-tjetrin dhe miqësia vazhdoi deri në çastin kur mua më ndodhi e njëjta fatkeqësi si Zekollve. E humba djalin e dy vjet pas tij edhe vajzën. Na mbuloi zija. Megjithatë kujtimet do të mbeten e do t’i ruajmë me respekt për këtë familje dhe për mirëkuptimin e ndërsjellë që kemi pasur.
Demiri ishte kopje e gjyshit të vet, Jupës, si në pamje, ashtu edhe në karakter, një burrë i qetë, por i fortë. Patriot i paepur. Ishte profesor dhe njeri i cili nuk ndahej nga libri, ndërsa Arsimit i shkonte shumë emri që kishte, sepse arriti të ngrihet lart në elitat intelektuale në Shkup dhe deri në frymën e fundit i mbrojti me dinjitet emrin e tij, emrin e familjes dhe të drejtat tona kombëtare. Ai me përgatitje universitare si historian i artit dhe arkeolog në kohët e vështira të tranzicionit ia doli të bëhet gazetar i dalluar, përkthyes, diplomat i shkëlqyeshëm, politikan, eseist e kolumnist i veçantë dhe ndër zërat më të fortë të së vërtetës në qarqet politike të këtushme, jo vetëm shqiptare. Arsimi ishte edhe një personalitet i shquar i kulturës dhe humanist. Si të tillë nuk kishte mundësi ta anashkalonin nga rrjedhat politike, e veçmas diplomatike. Shteti nuk kishte një si ai, prandaj e emëruan ambasador të OSBE-së në Vjenë. Pas tre vjetësh, për shkak të aftësive të tij të treguara në Austri, Arsimi u emërua shef i Misionit të OSBE-së në Turkmenistan, ku ishte diplomati i parë si shef misioni i OSBE-së në një vend të tretë nga Maqedonia. Edhe këtu puna e tij u kurorëzua me suksese të veçanta. Për shkak të këtyre rezultateve Arsimi u propozua të jetë ambasador i Maqedonisë në Norvegji. Por nuk u bë për shkak se këtë propozim e ka kundërshtuar me arrogancë politike BDI-ja, duke e lënë Arsimin pa punë.
Ndërkohë Arsimi nuk ndenji duarkryq. Shpirti krijues nuk njeh pengesa. Pas korisë që e bëri partia shqiptare në pushtet duke e dëmtuar, roli i tij i madh u bë pena e mprehtë që do të përdorej për vërejtje e kritika të forta për punën dhe mosdijen e njerëzve që ishin në timonin e shtetit, gjithmonë duke e formuluar mrekullisht mirë problemin në fjalitë e tij të një stili të rrallë dhe pa kursyer asnjë palë nga kritika, asnjë anë, askënd, dhe duke i ndenjur guximshëm besnik vetëm të vërtetës. Çdo shkrim i tij, në radhë të parë kolumna dallohej me elegancën e shprehjes, me njohuri të e veçanta, me guxim intelektual, ku shndriste e vërteta qoftë për dobësitë nga të cilat e kemi vështirë të çlirohemi ne si popull në krye me partitë tona, por edhe për budallallëkun e pushtetit i cili në mungesë dijeje e invence e vazhdon avazin anakronik kundër gjuhës shqipe duke shpikur probleme që s’duhet të kenë vend në punët e menaxhimit të shtetit, sepse nuk janë probleme, por vetëm një vegël për ta mbajtur gjallë paaftësinë e pushtetit.
Le ta ilustrojmë këtë që e thamë me një fragment të kolumnës së Arsimit me titull FUNDI I SUNDIMIT TË GËNJESHTRAVE (i botuar në gjuhën maqedonase), një shkrim që vetëm pena e Arsimit mund ta shkruante:
“…Mosdurimi, ose më saktë urrejtja e maqedonasve ndaj gjuhës shqipe, e rrëgjuar në klithmën e fundit mashtruese të “zyrtarizmit”, është më pak alarmante për shqiptarët e rrethuar nga programet cilësore nga mediat e tyre, si dhe ato nga Tirana, Prishtina, Zvicra. Mosdurimi, të mos e gënjejmë veten, është më shumë një lament i maqedonasve për joatraktivitetin që ia kanë shkaktuar vetes, për xhandarizimin burokratik të shpirtit që mund të mbijetojë vetëm – jo duke ruajtur gjuhën maqedonase – por duke parandaluar çdo gjuhë tjetër që mund të shërbejë si kategori krahasuese. E kjo, nga ana tjetër, do tа demaskojë degradimin burokratik, xhandarmerik, serbocentrik të një gjuhe që dikur ishte poetike, elegjiake, e butë në buzë dhe e ndjeshme në veshë. Shqiptarët nuk do të mësojnë gjuhë të tjera. Sepse ata tashmë i dinë ose i kuptojnë ato – nga turqishtja te kroatishtja, nga dialektet e panumërta në Zvicër dhe deri në Londër. Ata do ta përdorin maqedonishten ashtu siç duan Karakamisheva dhe Qulavkova. Si një mjet burokratik, si një formë me një fjalor të varfëruar në kuptimin e plotë të fjalës, si një vizore, si një gomë. Siç duan VMRO-ja, LSDM-ja. Por maqedonishtja – jo sot – por shumë kohë më parë, nuk është gjuhë komunikimi. Dhe, gjykuar sipas inertësisë së vazhdueshme, mbylljes, frikës nga të qenit ndryshe dhe lidhjes së pakuptimtë me Serbinë – nuk ka gjasa që gjuha maqedonase të ngrihet përsëri dhe të bëhet ligjërim mirëkuptimi dhe ta kapërcejë ngushëllimin provincial të frazës “fol maqedonisht, që bota të të kuptojë”. Sa për ngushëllim, shqiptarët do ta përdorin atë gjuhë burokratike të sportelizuar dhe të formulizuar. Edhe himnin do ta këndojnë. Sa për të kënaqur impulset inferiore të atyre që janë të ndarë midis qelbësirave më të ulëta sadiste ndaj shqiptarëve dhe përjargiet më servile dhe më poltrone ndaj Beogradit”. (Ky fragment është përkthyer nga maqedonishtja, siç e ka shkruar Arsimi. Besoj se e kam përkthyer mirë).
Në vija të shkurtra këta ishin dy vëllezërit Zekolli. Largimi i Demirit është humbje e madhe për arsimin në Suharekë e më gjerë, kurse humbja e Arsimit është e pakompenzueshme për mendimin politik shqiptar, për diplomacinë në përgjithësi dhe për kulturën tonë kombëtare të shkrimit.
Dhe, pas kësaj humbjeje që na ndodhi, vjen turpi i udhëheqjes së këtij shteti që së paku nuk u dëgjua të ketë mbajtur një mbledhje komemorative ku publikisht do të pranohej puna e madhe që bëri Arsimi në gazetari, në mendimin politik tonin, në kulturë dhe në diplomaci. Dhe, gjithsesi në këtë tubim zije politikanët do të duhej të zotohen se emri i Arsimit do të mbrohet duke e emërtuar me të ndonjë institucion a rrugë. Duhet ta dinë ata se aty ku janë, janë për t’i ruajtur gjurmët, jo për t’i fshirë, siç kanë vepruar politikanët para tyre.
Ne e ngushëllojmë familjen Zekolli, por ky është akt individual.
Për të ardhur keq është se njerëzit e politikës së këtij vendi nuk kanë sens për kujtimin kolektiv, si kulturë kombëtare. Kujtimi kolektiv u duhet brezave të rinj, të kenë ku ta mbështesin krenarinë e tyre.



