Kurti: 1 miliard € për prodhimtari e njësit i përbashkët me Shqipërinë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe kandidati i kësaj partie edhe për një mandat si kryeministër, Albin Kurti, ka premtuar të shtunën para simpatizantëve në Gjilan, se nëse fiton, gjatë mandatit të ardhshëm qeveria do të investojë një miliard euro në prodhimtari.

Ai ka premtuar edhe 100 milionë euro për investime të diasporës.

“Votën tuaj ne e kërkojmë jo vetëm nga përvoja e mirë me ne, por edhe për shkak të zotimeve tona të reja. Në mandatin e ardhshëm katërvjeçar, 1 miliard euro për prodhimtarinë. Të gjithë ata që prodhojnë do ta kenë Republikën e Kosovës garanci për kreditë investive në banka pa nevojë për të lënë hipotekë, tokën, veturën apo shtëpinë. Mandati i ardhshëm është mandat i prodhimtarisë, që do ta transformojë përgjithmonë, si asnjëherë më parë, industrinë e vendit tonë për të mirë. Përveç 1 miliard euro për prodhimtarinë, edhe dritarja për investime të diasporës, 100 milionë euro”, ka premtuar Kurti.

Po ashtu Kurti, ka premtuar njësit të përbashkët ushtarak mes Forcës së Sigurisë dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë që, sipas tij, do ta mundësojnë kalimin e ushtarakëve nga mërgata në FSK, por edhe të profesionistëve nga Shqipëria në FSK.

“Përveçse kemi më shumë se dyfishim të ushtarëve, kemi më shumë se trefishim të buxhetit, kemi më shumë se katërfishim të trajnimeve jashtë vendit, kemi më shumë se qindfishim të shpenzimeve për armatim dhe pajisje të tjera ushtarake. E në mandatin e ardhshëm i bëjmë bashkë ekonominë dhe mbrojtjen, përkatësisht investojmë në industrinë ushtarake”, ka thënë ai.

Paraprakisht gjatë së shtunës, VV-ja e Kurti kanë mbajtur tubim në Kamenicë. Në këtë qytet, Kurti ka dhënë zotime për realizim të disa projekteve, mes të cilave edhe ngritjen e një stadiumi të ri me 2 mijë e 500 ulëse.

E, kryetari i kësaj komune, Kadri Rrahimaj, tek ka folur për këtë stadium, ka thënë se ai do të jetë unik meqë i tëri do të ndërtohet nga druri. Ai ka thënë se projektet që pritet të realizohen në vitet e ardhshme, do ta transformojnë infrastrukturën dhe zhvillimin e qytetit.

Rrahimaj ka premtuar edhe realizimin e projektit kufitar, në kuadër të të cilit do të asfaltohen 50 kilometra rrugë.