LVV-ja nis fushatën, Kurti premton investime e blerje armatimi dhe pajisje ushtarake

Lëvizja Vetëvendosje e ka hapur fushatën në Ferizaj për zgjedhjet e 7 qershorit.

Kandidati i VV-së për kryeministër, Albin Kurti, ka premtuar investime miliardëshe në Brezovicë dhe Bjeshkët e Nemuna, ndërkohë që premtoi se në katër vitet e ardhshme do të ketë nga 1 miliard euro shpenzime kapitale, ku përmendi prodhimtarinë dhe ushtrinë.

“Me këtë 1 miliard euro, blerje të armatimit dhe pajisjeve ushtarake do t’ia bashkëngjesim fabrikën e dronëve dhe armëve. Rritjen ekonomike e kemi 4%, pra kemi mundësi të shpërndajmë mjete. Rritje ekonomike ka më së shumti në sektorin privat, që është bartësi kryesor i punësimit për çka i falënderojmë bizneset e ndershme. Ata që kanë zhvatur në të kaluarën, qofshin pasuri natyrore apo buxhet shtetëror, duhet ta kthejnë cent më cent, sepse do të themelohet Byroja për Konfiskimin e Pasurisë”, tha Kurti, raporton KosovaPress.

Ai më tej premtoi se pagesa e TVSh-së për mallra që do të hyjnë në Kosovë do të zhvendoset brenda shtetit, nga kufiri që është aktualisht, e po ashtu edhe për veturat e importuara nga BE-ja, Kurti tha se do të hiqet taksa doganore prej 10% duke ulur taksën e blerjes.

Kurti u shpreh i bindur për fitore duke thënë se synon 60 përqindëshin nga 7 qershori.

“Më 7 qershor bëhen 116 ditë të kësaj qeverie. Më 7 qershor krejt që kanë drejtë vote, e ata që i bëjnë 18 vjet atë ditë, e ata 88 98 a 116 sa i keni më të moçmin në Ferizaj. Dilni votoni i madh i vogël gra e burra pleq e të rinj, me kushëri të afërt largët, daja teze e halla, axhallar. Sepse nëse 51.1 për qind me 28 dhjetor kur erdh viti i ri tri ditë para kohe nuk ju doli boll. Atëherë mbi 60 për qind me 7 qershor, që dy javë kalendarike para se me ardh vera, jam i bindur se do t’ju dalë boll”.