Nga Krenar LLOGA
Shembulli shkollor i një politikani që e sfidon dhe e lufton gjuhën shqipe prej ditës që ka ardhur në pushtet, por edhe para saj, në të gjitha drejtimet: fillimisht duke e atakuar në Gjykatën Kushtetuese, pastaj duke mos e zbatuar, ndërsa sot mban ligjërata perfide në “favor” të saj. Çuditërisht?!
KM Mickoski, fillimisht si deputet e më pas edhe si kryeministër, përgjatë vitit 2024 i ka pasur mbi tavolinë, në paketë, tre propozimligjet për dhënien e provimeve për Jurisprudencë, Notariat dhe Përmbarim në gjuhën shqipe, por Qeveria e tij i tërhoqi nga procedura parlamentare pa asnjë arsyetim.
Zotëria i tij nuk e respekton Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, por, siç di vetëm ai, është mjeshtër i kakofonisë politike dhe standardeve të dyfishta.
Ai nuk lejon që në makinat e policisë mbishkrimet të jenë në shqip. Të njëjtën gjë nuk e lejon as në uniformat e policëve shqiptarë. Nuk e lejon në SMS-të dhe sistemin “Smart City”. Nuk e lejon as në tabelat që së fundmi i vendosi nëpër rrugët e Maqedonisë për mbikëqyrje me kamera.
Shumica dërrmuese e ministrave të tij nuk komunikojnë me publikun në gjuhën shqipe, as përmes komunikatave, as përmes ueb-faqeve, e as përmes rrjeteve sociale. Në Ministrinë e Drejtësisë, gjuha shqipe është e ndaluar si horizontalisht, ashtu edhe vertikalisht.
“Patriotë” nga “Temu”, që mbrojnë pakicat maqedonase nga opozita, por që kanë frikë t’i takojnë ato si kryeministër, gjejmë vetëm te ai. Takoi, kryeministër, jo vetëm maqedonasit në Prespë, por edhe ata në Bullgari e Greqi – nuk të gjen gjë.
Unë, si ministër i Drejtësisë, e kam bërë këtë si askush para meje dhe si askush pas meje. Takoi kryeministër, të inkurajojë!
(Autori është ish-ministër i Drejtësisë)





